Flash News

Ditari i Opozitës

Muzeu Etnografik i Vlorës nën kërcënim/ Zhupa: Mos e ktheni monumentin historik në godinë me xham, beton dhe kafene

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, deputetja e PD-së Ina Zhupa, ka kundërshtuar projektin e ri pranë Muzeut Etnografik të Vlorës, ish-Klubit Patriotik “Labëria”, duke e cilësuar atë një ndërhyrje që rrezikon të cenojë vlerat historike, arkitekturore dhe identitetin e zonës.

Zhupa ka publikuar një video të projektit ku shikohen shtesa godina, struktura të reja xhami, betoni dhe kafene. Ajo thekson se një monument kulture i Kategorisë I dhe një zonë historike nuk mund të trajtohen si një parcelë e izoluar ndërtimi, ku ndërhyrjet moderne justifikohen në emër të zhvillimit.

Zhupa kërkon që çdo projekt në këtë hapësirë duhet të respektojë tërësinë historike dhe karakterin autentik të saj, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të vendosin mbrojtjen e trashëgimisë kulturore mbi interesat komerciale.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës: 

Muzeu Etnografik i Vlorës, ish-klubi patriotik “Labëria”, monument kulture i kategorisë I, po rrezikon të shkatërrohet nga një ndërhyrje që në vend se ta mbroj, e transformon larg identitetit të saj. 

Godina historike po projektohet të pajiset me shtesa, ndërhyrje të reja, ambiente shërbimi dhe kafene, duke ndryshuar karakterin, siluetën dhe gjithë pamjen e saj. 

Vlera e këtij muzeu nuk qëndron vetëm te muret që mund të mbeten në këmbë. Ajo që duhet të ruhet është autenticiteti i plotë i godinës: forma, përmasat, silueta, materialet, hapësirat dhe marrëdhënia e saj me historinë. Kur mbi një monument shtohen struktura moderne prej xhami, betoni, guri, ambiente tregtare apo kafene, nuk kemi më restaurim dhe rijetëzim të trashëgimisë. Kemi të bëjmë me një ndërhyrje që e mbulon dhe e zëvendëson atë për qëllime fitimi. 

Godina historike, e lidhur me emrat e Ismail Qemalit dhe Marigo Posios, duhet të mbetet dëshmi e historisë së Vlorës dhe e identitetit kombëtar shqiptar. Por me këtë projekt, ajo rrezikon të kthehet në një fasadë historike të rrethuar nga shtesa të reja, ku kafeneja dhe funksionet tregtare bëhen më të rëndësishme se vetë monumenti.

Kjo nuk është mbrojtje e trashëgimisë. Është shkatërrim i saj në emër të “zhvillimit”.

Turisti nuk vjen në Vlorë për të parë një tjetër godinë të standardizuar me xham, beton dhe kafene. Ai vjen për të përjetuar historinë, autenticitetin dhe identitetin e qytetit.  

Kudo prioritet në rikonstruksion e godinave monument kulture ka rindërtimi sa më afër origjinalit për përjetimin e historisë. Por kur projektet i bën AADF në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, duket se prioriteti po zhvendoset nga ruajtja e monumentit te ndërtimi i ambienteve të reja, kafeneve dhe “qendrave të vizitorëve”.

Hiqni dorë nga shkatërrimi i identitetit kombëtar shqiptar! Hiqni dorë nga shëmtimi dhe transformimi i monumenteve! Mos e ktheni Muzeun Etnografik të Vlorës në një godinë me shtesa, beton dhe kafene, duke humbur atë që e bën të çmuar, veçorinë identitare dhe historike. 

https://www.facebook.com/share/v/19RsmXwWBt/?mibextid=wwXIfr

Të fundit