“Bombë” nga Tevez-i: Ronaldo dhe Messi pranojnë të luajnë bashkë në ndeshjen miqësore
Carlos Tevez ka bërë një zbulim të madh për ndeshjen e tij të lamtumirëse, duke konfirmuar se Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi kanë pranuar të luajnë në të njëjtën skuadër në eventin që do të zhvillohet në dhjetor të vitit 2026 në stadiumin “La Bombonera” në Buenos Ajres.
Ish-sulmuesi argjentinas tha se kishte prej kohësh ëndërr ta shihte dyshen më të madhe të futbollit në të njëjtin ekip dhe se kontaktoi personalisht Ronaldon për t’ia bërë ftesën, shkruan Indeksonline
“Gjithmonë ka qenë ëndrra ime t’i shoh Cristianon dhe Leon duke luajtur për të njëjtën skuadër. I thashë Cristianos se dua që ai dhe Leo të jenë në të njëjtën anë për ndeshjen time të lamtumirës, që bota ta shohë atë magji edhe një herë. Ai pranoi menjëherë, ndërsa as Leon nuk ishte e vështirë ta bindja. Të dy më kanë dhënë dritën jeshile”, u shpreh Tevez.
Nëse gjithçka realizohet sipas planit, ndeshja e lamtumirës së Tevez pritet të shënojë një nga momentet më të rralla në historinë e futbollit, me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon në të njëjtën skuadër./Indeksonline/

