Ekspertët paralajmërojnë për trendin në TikTok: “Huazimi i simptomave” mund të nxisë vetëdiagnostikimin me ADHD - Gazeta Express
string(108) "ekspertet-paralajmerojne-per-trendin-ne-tiktok-huazimi-i-simptomave-mund-te-nxise-vetediagnostikimin-me-adhd"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

07/09/2026 11:38

Ekspertët paralajmërojnë për trendin në TikTok: “Huazimi i simptomave” mund të nxisë vetëdiagnostikimin me ADHD

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

07/09/2026 11:38

Ekspertët po paralajmërojnë për një fenomen gjithnjë e më të përhapur në rrjetet sociale, ku të rinjtë mund të fillojnë të identifikojnë ose interpretojnë sjellje të zakonshme si simptoma të çrregullimeve të caktuara pasi shohin video të përsëritura në TikTok.

Josef Newton, sipërmarrës në teknologji që ka folur hapur për përvojat e tij me çrregullimin obsesiv-kompulsiv (OCD) dhe çrregullimin e deficitit të vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD), e përshkruan këtë si “symptom borrowing” – apo “huazim i simptomave”.

Sipas tij, fenomeni ndodh kur një person fillon të vërejë, të riinterpretojë ose të presë simptoma dhe sjellje që më parë i ka parë te njerëz të tjerë në internet.

“Vëmendja, pritshmëritë dhe ankthi mund t’i bëjnë më të dukshme ndjesitë fizike ose sjelljet e zakonshme që më parë kalonin pa u vënë re”, shpjegoi Newton.

Si mund të ndikojë algoritmi i TikTokut?

Platformat si TikTok përdorin algoritme që i rekomandojnë përdoruesit më shumë përmbajtje të ngjashme me atë që ka parë apo me të cilën ka ndërvepruar më parë.

Kjo do të thotë se nëse një përdorues shikon një video ku dikush flet për diagnozën e ADHD-së, algoritmi mund t’i shfaqë më pas një numër të madh videosh të ngjashme.

Sipas Newton, ekspozimi i vazhdueshëm mund të krijojë ankth dhe ta bëjë një person të fillojë të kërkojë te vetja simptoma që më parë nuk i kishte vënë re ose që mund të jenë pjesë e përvojave të zakonshme të përditshme.

Në këtë mënyrë, diagnoza që në realitet kërkojnë vlerësim të kujdesshëm klinik mund të fillojnë të duken shumë më të zakonshme dhe personalisht të aplikueshme.

Studimet kanë ngritur shqetësime për dezinformimin

Paralajmërimi vjen disa muaj pasi studiuesit nga University of East Anglia (UEA) ngritën shqetësime se postimet e pasakta në rrjetet sociale për ADHD-në dhe autizmin mund t’i shtyjnë disa të rinj të besojnë se kanë këto gjendje pa një vlerësim profesional.

Studimi i UEA analizoi më shumë se 5,000 postime në platforma të ndryshme sociale dhe raportoi se dezinformimi rreth ADHD-së dhe autizmit ishte më i shpeshtë në TikTok sesa në disa platforma të tjera.

Diagnozat e ADHD-së janë rritur ndjeshëm gjatë dekadave të fundit, ndërsa sot rreth 2.5 milionë njerëz në Britani vlerësohet se jetojnë me këtë gjendje.

ADHD është një çrregullim neurozhvillimor që ndikon në mënyrën se si një person përqendrohet, kontrollon impulset dhe menaxhon aktivitetin.

Dr. Eleanor Chatburn nga Norwich Medical School theksoi se rrjetet sociale mund të jenë një pikënisje e dobishme për njerëzit që përpiqen të kuptojnë simptomat e tyre, por nuk duhet të zëvendësojnë vlerësimin profesional.

“Është e rëndësishme që këto pyetje të çojnë drejt një vlerësimi të duhur klinik me një profesionist”, tha ajo.

Sipas saj, informacioni i pasaktë jo vetëm që mund të patologjizojë sjellje të zakonshme, por mund të vonojë diagnozën për personat që realisht kanë nevojë për ndihmë.

Jo çdo sjellje e zakonshme është simptomë

Newton paralajmëron përdoruesit që të tregojnë kujdes me videot që paraqesin përvoja të zakonshme si shenja të një problemi shëndetësor.

Mes tyre mund të jenë shtyrja e detyrave për më vonë, ndjenja e turpit në ambiente sociale apo lodhja pas kalimit të kohës me shumë njerëz.

Sipas tij, një shenjë e mundshme e “huazimit të simptomave” është kur një person e vëren për herë të parë një sjellje vetëm pasi ka parë një video që flet për të.

Ai e krahasoi këtë me një shembull të thjeshtë.

“Nëse dikush të thotë të përqendrohesh te mënyra se si e ndien gjuhën në gojë, papritur bëhet shumë e vështirë ta injorosh. Ndjesia ka qenë gjithmonë aty, por vëmendja e ka bërë më të dukshme”, tha Newton.

Sipas tij, videot shëndetësore mund të prodhojnë një efekt të ngjashëm.

Simptoma mund të jetë reale, por interpretimi mund të ndryshojë

Newton thekson se kjo nuk do të thotë se njerëzit po i trillojnë simptomat.

Ndjesitë mund të jenë krejtësisht reale, por rritja e vëmendjes ndaj tyre mund t’i bëjë më të dukshme dhe t’i shtyjë njerëzit t’i interpretojnë në mënyra të ndryshme.

Ai sugjeron që njerëzit të pyesin veten nëse e kishin vënë re më parë atë simptomë dhe nëse ajo kishte ndikuar realisht në jetën e tyre.

Një tjetër shenjë paralajmëruese është kur e njëjta simptomë fillon të lidhet me diagnoza të ndryshme varësisht nga videot që shfaqen në rrjetet sociale.

Për shembull, lodhja mund të paraqitet një ditë si simptomë e ADHD-së dhe një ditë tjetër si shenjë e “burnout”.

Kontrollimi i vazhdueshëm mund ta ushqejë ankthin

Sipas Newton, është plotësisht normale që një person, pasi shikon një video informative, të mendojë nëse ka edhe vetë simptoma të ngjashme.

Problemi fillon kur kjo kthehet në monitorim të vazhdueshëm të trupit dhe sjelljes.

“Kontrollimi i përsëritur mund të përfundojë duke e mbajtur gjallë frikën në vend që t’i japë përgjigje asaj”, tha ai.

Newton këshillon përdoruesit të vërejnë se si ndihen pas konsumimit të përmbajtjeve të tilla.

“Nëse ndiheni më të frikësuar, më të hutuar ose të detyruar të vazhdoni kërkimin, atëherë videot nuk po funksionojnë më si edukim shëndetësor i dobishëm.”

Ai rekomandon vendosjen e një kufiri të qartë: të shkruhet shqetësimi, të bëhet një pushim nga përmbajtjet për simptoma dhe të kërkohet informacion nga një profesionist i shëndetit ose një burim mjekësor i besueshëm.

“Një bisedë me një profesionist të kualifikuar ka shumë gjasa të jetë më e dobishme sesa një orë tjetër me video kontradiktore”, tha ai.

TikTok i kundërshton kritikat

TikTok ka qenë edhe më parë në qendër të debateve rreth informacionit shëndetësor.

Pas studimit të University of East Anglia, një zëdhënës i platformës deklaroi se TikTok largon dezinformimin e dëmshëm shëndetësor dhe u ofron përdoruesve qasje në informacione të besueshme nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Edhe një studim i publikuar në “Canadian Journal of Psychiatry” në vitin 2022 kishte analizuar 100 video në TikTok që diskutonin ADHD-në.

Studiuesit raportuan se më shumë se gjysma e tyre përmbanin informacion të klasifikuar si çorientues, ndërsa vetëm rreth një e pesta u vlerësuan si të dobishme.

Shumica e videove problematike, sipas studimit, ishin publikuar nga persona që nuk ishin profesionistë të kujdesit shëndetësor.

TikTok mund të ndihmojë, por nuk zëvendëson diagnozën

Newton pranon se rrjetet sociale mund të kenë edhe rol pozitiv.

Ato mund t’i ndihmojnë njerëzit të njohin një problem real, të mësojnë terminologjinë e duhur dhe të kërkojnë ndihmë.

“TikTok mund të jetë arsyeja pse dikush kupton se ka një problem të vërtetë dhe kërkon mbështetje. Kjo është pozitive”, tha ai.

“Problemi fillon kur njohja e simptomave shndërrohet në monitorim të vazhdueshëm. Pasi mëson një listë simptomash, truri mund të fillojë t’i kërkojë ato.”

Ekspertët theksojnë se diagnoza e ADHD-së, autizmit apo çrregullimeve të tjera nuk mund të vendoset mbi bazën e videove në rrjetet sociale dhe kërkon vlerësim profesional, histori të plotë të simptomave dhe shqyrtim të ndikimit të tyre në jetën e përditshme. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement