Një pilulë e marrë çdo natë mund të reduktojë ndjeshëm ndërprerjet e frymëmarrjes te personat që vuajnë nga apnea obstruktive e gjumit, sipas rezultateve të një studimi të ri.
Kjo gjendje, e cila prek rreth tetë milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar, shkakton ndalje dhe rifillime të përsëritura të frymëmarrjes gjatë natës.
Personat që vuajnë nga apnea e gjumit mund të kenë gërhitje të forta, gulçim apo zgjime të shpeshta gjatë natës, si dhe përgjumje dhe lodhje të tepërt gjatë ditës.
Në planin afatgjatë, apnea obstruktive e gjumit mund ta ngarkojë seriozisht organizmin dhe lidhet me rritje të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare dhe metabolike.
CPAP mbetet trajtimi standard, por jo të gjithë e tolerojnë
Trajtimi më i zakonshëm për këtë gjendje është pajisja CPAP, e cila përdor presion të lehtë ajri përmes një maske për t’i mbajtur rrugët e frymëmarrjes të hapura gjatë gjumit.
Megjithëse CPAP mund t’i reduktojë ndjeshëm simptomat, shumë pacientë e konsiderojnë të parehatshme. Sipas të dhënave të cituara në studim, pothuajse gjysma e personave të cilëve u rekomandohet pajisja ose e ndërpresin përdorimin, ose nuk e fillojnë fare.
Tani, studiuesit nga University of Pittsburgh Medical Center po shqyrtojnë mundësinë që një trajtim oral të ofrojë një alternativë për disa pacientë.
Ilaçi reduktoi ndërprerjet e frymëmarrjes me rreth 44 për qind
Ilaçi eksperimental, i quajtur AD109, kombinon dy substanca ekzistuese – aroxybutynin dhe atomoxetine – të cilat synojnë të mbështesin muskujt e fytit dhe të ulin mundësinë që rrugët e frymëmarrjes të mbyllen gjatë gjumit.
Në një studim gjashtëmujor, të zhvilluar në më shumë se 60 qendra në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, morën pjesë 646 të rritur me apne të gjumit nga forma e lehtë deri te ajo e rëndë.
Pjesëmarrësit ose nuk mund ta toleronin CPAP-in, ose kishin refuzuar ta përdornin atë.
Te pacientët që morën ilaçin, numri i ndërprerjeve të frymëmarrjes gjatë një ore gjumi u reduktua mesatarisht me rreth 44 për qind.
Studiuesit raportuan gjithashtu përmirësime në disa probleme të tjera që shfaqen gjatë natës.
Rezultatet u panë te pacientë me profile të ndryshme
Sipas studiuesve, përfitimet e trajtimit u vunë re te persona me shkallë të ndryshme të sëmundjes dhe me tipe të ndryshme trupore.
Autori kryesor i studimit, Dr. Patrick John Strollo, tha se apnea obstruktive e gjumit vazhdon të jetë një gjendje që shpesh mbetet e patrajtuar ose trajtohet në mënyrë jo të mjaftueshme.
“Në shumë sëmundje të tjera kronike, si sëmundjet kardiovaskulare, astma apo diabeti i tipit 2, do të ishte e paimagjinueshme që shumica e pacientëve të diagnostikuar të mbeteshin pa trajtim ose me trajtim të pamjaftueshëm. Megjithatë, kjo vazhdon të jetë realiteti te apnea obstruktive e gjumit”, tha ai.
Sipas tij, një pilulë që vepron mbi mekanizmat neuromuskularë që shkaktojnë mbylljen e rrugëve të frymëmarrjes gjatë gjumit mund të ndihmojë në zvogëlimin e këtij boshllëku në trajtim.
Megjithatë, AD109 mbetet një trajtim në studim dhe nevojiten vlerësime të mëtejshme për sigurinë, efektivitetin afatgjatë dhe përcaktimin se cilët pacientë mund të përfitojnë më shumë prej tij. /GazetaExpress/
TGI Fridays, rrjeti i njohur amerikan i restoranteve casual dining, ka nënshkruar një marrëveshje zhvillimi me Devolli Group për...