Flash News

Bota

Bisedimet me SHBA-në, Zelensky hap dritën jeshile për negociatat: Duam takim trepalësh me Rusinë

image (2).webp

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se bisedimet e zhvilluara me përfaqësuesit amerikanë për luftën në Ukrainë kanë qenë shumë thelbësore, ndërsa ka bërë të ditur se në fokus kanë qenë çështjet e sigurisë, mbështetja ushtarake dhe garancitë për të ardhmen e vendit.

Sipas Zelenskyt, gjatë takimit me delegacionin amerikan u diskutua për furnizimin e Ukrainës me raketa për mbrojtjen ajrore, si dhe për një paketë mbështetjeje për periudhën e dimrit.

Delegacioni amerikan drejtohej nga i dërguari i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner. Në bisedime janë trajtuar gjithashtu garancitë e sigurisë dhe ato ekonomike për Ukrainën, si dhe një plan për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit.

Zelenskyy tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane kanë vlerësuar se Ukraina është bërë më e fortë, ndërsa theksoi nevojën për avancimin e procesit diplomatik.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që të zhvillohen takime trepalëshe me Rusinë. Duhet të shohim se çfarë thotë Rusia”, u shpreh presidenti ukrainas.

Deklaratat e Zelenskyt vijnë në një moment kur përpjekjet diplomatike të administratës Trump synojnë të krijojnë terrenin për një proces negociatash mes Ukrainës dhe Rusisë. Për Kievin, hapi i radhës mbetet zhvillimi i një takimi të drejtpërdrejtë trepalësh, nëse Moska pranon të ulet në tryezën e bisedimeve.

Të fundit