Radiohead kanë njoftuar rikthimin e tyre në skenë me një turne të ri në vitin 2027, i cili do t’i çojë në Australi dhe Japoni.
Bendi britanik do të zhvillojë 16 koncerte në tri qytete australiane – Perth, Melbourne dhe Sydney – duke shënuar turneun e tyre të parë në këtë vend pas 15 vitesh.
Të hënën pasdite, grupi publikoi itinerarin e turneut të planifikuar për maj të vitit 2027, ku përfshihen gjithashtu edhe pesë koncerte në Japoni.
Turneu nis në Perth
Seria e koncerteve do të nisë më 3 maj në “RAC Arena” të Perthit, ku Radiohead do të mbajnë gjithsej katër performanca.
Më pas, grupi do të zhvendoset në Melbourne, ku janë planifikuar gjashtë koncerte në “Rod Laver Arena”, përpara se turneu australian të vazhdojë në Sydney, në “Afterpay Arena”.
Radiohead kishin zhvilluar turneun e tyre të fundit në Australi pas publikimit të albumit “The King of Limbs” në vitin 2011.
Megjithatë, frontmeni Thom Yorke u rikthye në Australi në vitin 2024 për disa koncerte solo.
Gjatë një performance në Melbourne, Yorke u largua përkohësisht nga skena pas një përplasjeje verbale me një protestues pro-palestinez në publik. Ai u rikthye pak minuta më vonë për ta mbyllur koncertin me hitin e Radiohead të vitit 1997, “Karma Police”.
Rikthimi pas shtatë vitesh pauzë
Radiohead u ribashkuan vitin e kaluar pas një pauze shtatëvjeçare për një seri koncertesh në disa qytete evropiane.
Tani grupi po përgatitet edhe për rikthimin në Japoni, për herë të parë pas 19 vitesh.
Radiohead do të zhvillojnë pesë koncerte në “GMO Arena Saitama”.
Bendi nuk ka publikuar një album të ri në studio që nga “A Moon Shaped Pool” në vitin 2016.
Megjithatë, mungesa e materialit të ri nuk e ka zbehur aspak interesimin e fansave, ndërsa njoftimet për koncertet e fundit kanë shkaktuar kërkesë të madhe për bileta.
Radiohead u shfaqën për herë të parë në Australi në vitin 1994
Turneu i parë i Radiohead në Australi u zhvillua në vitin 1994, pas publikimit të albumit të tyre debutues “Pablo Honey”.
Albumi përmbante edhe hitin “Creep”, kënga që e ndihmoi grupin të fitonte famë ndërkombëtare.
Tashmë, fansat australianë mund të regjistrojnë interesimin e tyre për bileta përmes një platforme online të menaxhuar nga bashkëpromotori Frontier Touring.
Sistemi funksionon në mënyrë të ngjashme me një short dhe synon t’u japë fansave qasje më të drejtë në bileta, si dhe të kufizojë blerjet automatike apo të paautorizuara.
Sipas platformës, çdo person mund të blejë maksimumi katër bileta për secilin qytet ku performon grupi.
Organizatorët kanë theksuar gjithashtu se koha e regjistrimit nuk ndikon në mundësitë për të siguruar bileta.
“Nuk ka asnjë përfitim nëse regjistroheni më herët. Çdo regjistrim i përfunduar brenda afatit do të trajtohet në mënyrë të barabartë”, thuhet në njoftim. /GazetaExpress/
TGI Fridays, rrjeti i njohur amerikan i restoranteve casual dining, ka nënshkruar një marrëveshje zhvillimi me Devolli Group për...