Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i është kundërpërgjigjur ministrit në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, pasi ky i fundit mohoi akuzat se gjatë takimeve me zyrtarë dhe përfaqësues ndërkombëtarë kishte quajtur shqiptarët “terroristë”.
Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se deklaratat e tij janë të vërteta, duke pretenduar se Rashiq vetë i kishte rrëfyer për rastin e djalit të tij të mitur dhe lëndimin e dorës, gjatë një takimi jashtë Kosovës me përfaqësues të organizatave të rëndësishme.
“Rashiq, po ta kushtoj një status të shkurtër. Krejt çka kam thënë është e vërtetë”, ka shkruar Gashi.
Ai ka thënë se Rashiq tash është bindur se “integrimi është i mundur” dhe se Policia e Kosovës u shërben të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
Në fund, Gashi i është drejtuar Rashiqit me një paralajmërim, duke thënë se për pretendimet e tij “ka edhe procesverbale”.
“Por të përgëzoj që tash e ke kuptuar se ke qenë gabim. Për këto punë ka edhe procesverbale”, ka shkruar Gashi, duke e shoqëruar postimin me një emoji.
Reagimi i Gashit vjen pasi Rashiq kishte mohuar kategorikisht se i ka quajtur shqiptarët “terroristë”, duke i cilësuar pretendimet e deputetit të LDK-së si të pavërteta.
Ndërkohë, Rashiq ka folur edhe për aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit. Ai ka deklaruar se disa bashkëpunëtorë të tij kishin marrë thirrje kërcënuese nga një person me numër telefoni të Serbisë, i cili u kishte kërkuar të shkonin në Beograd.
Në aktakuzën ndaj Shehollit, Rashiq përmendet si viktimë e targetuar e një plani të dyshuar për diskreditim, që Prokuroria pretendon se ishte organizuar në bashkëpunim me shërbimin sekret serb, BIA.
“Nëse nuk vini në Beograd, do të keni pasoja”, Rashiq hedh poshtë akuzat e Arben Gashit


