Biznesi i konspiracioneve mbi hirin e pyjeve që digjen

7 Shtator 2026, 12:55Editorial Bjorn Runa

Teksa zjarret vazhdojnë të djegin pyjet në vend, ndonëse kemi hyrë zyrtarisht në stinën e vjeshtës, një stuhi teorish konspirative duket se është ngritur mbi një emergjencë reale që prek jetën dhe pronën e mijëra njerëzve.

Teoritë variojnë nga varieteti i njohur lokal sipas të cilit pyjet po digjen pikërisht në ato zona ku më vonë do të ndërtohen resorte, tek fantazi më ambicioze të importuara me shumicë nga jashtë, sipas të cilave zonat e djegura do të përdoren për të krijuar të ashtuquajturin “Izrael i vogël.” Së fundi, hasa edhe versionin më argëtues, sipas të cilit janë vetë zjarrfikësit që po i djegin pyjet sepse duan të marrin bonusin e premtuar për shuarjen e tyre. Nëse sheh gjendjen në të cilën ndodhet shërbimi ynë zjarrfikës, me njerëz të patrajnuar sa duhet dhe mjete të pamjaftueshme, të duhet një përfëtyrim absurd rreth instinktit të mbijetesës të zjarrfikësve tanë, që të besosh se do shkonin deri aty sa të ndiznin qëllimisht zjarre ku mund të humbnin jetën, vetëm për një shtesë page. Do të ishte ndoshta e vetmja skemë korrupsioni në Shqipëri ku përfituesit janë të gatshëm edhe të vdesin para se të marrin bonusin.

Tani, teoria e parë, se në zonat e djegura do të ngrihen resorte luksi, nxitet nga një dyshim deri diku legjitim, duke parë se jo rrallë mbrojtja e mjedisit dobësohet para investitorëve të fuqishëm. Problemi është se djegia e një pylli nuk e kthen atë automatikisht në truall ndërtimi. Ligji për pyjet (neni 5, pika 7) nuk lejon ndryshimin e destinacionit të pyjit ose fondit pyjor në truall ndërtimi. Nga ana tjetër, po aq absurd tingëllon ideja se zonat që po digjen korrespondojnë me hartat e “Paketës së Maleve.” Së pari, është një nismë që zyrtarisht synon të nxitë investime në biznese të vogla e të mesme dhe jo resorte luksi. Në të dyja rastet, nuk e di kush do të ishte ai sipërmarrës mendjendritur që do të investonte për turizëm në shkretëtirën e lënë pas nga zjarri në një faqe mali.

Natyrisht zhvillimi i turizmit mbart në vetvete rrezikun e dëmtimit të pyjeve, por shkatërrimi qëllimisht i atraksionit kryesor nga i cili një bujtinë apo hotel në mal varet, do ishte një strategji biznesi vetëshkatërruese.

Teoria tjetër se pyjet digjen për të krijuar hapësirë për ndërtimin e një shteti/shteteve të reja hebraike jashtë Izraelit, kërkon një rrugëtim edhe më të largët në kohë e hapësirë. Është një teori e cila lindi rreth viteve ’60-të, pak kohë pas arrestimit të Adolf Eichmann, një nga organizatorët kyresorë të Holokaustit, sipas së cilës toka në jug të Argjentinës dhe Kilit do të përdoreshin për ndërtimin e shtetit të dytë hebraik. Një lloj versioni i deformuar i propozimeve të dikurshme të Theodor Herzl në lidhje me themelimin e kolonive agrare hebraike në Argjentinë. Nëse paska një teori për një shtet të dytë hebraik në Amerikën Latine, atëherë përse të mos kemi disa të tilla, edhe në Shqipëri? Kjo duket se është logjika banale e varietetit tonë banal të konspiracionistëve. Tek e fundit, një ditë mund ta lidhin edhe me rëndësinë e Shqipërisë, vjetërsinë e saj dhe të gjuhës, që të tjerët, sipas konspiracionistëve, e kanë gjithnjë halë në sy.

Asgjë nga këto nuk do t’ia vlentë të komentohej sikur të mbeteshin në kufijtë e argëtimit gjatë këtyre ditëve të mërzitshme e pa lajme të fundit të verës, por fatkeqësisht konspiracioni është kthyer tashmë në një model biznesi solid.

Influencer, drejtues podcast-esh, e madje edhe personazhe politike kanë zbuluar se teoritë konspirative janë një lloj përmbajtjeje me kosto minimale për t’u prodhuar dhe me të ardhura jo të vogla. Nuk duhet ndonjë punë kërkimore për të sajuar teori të tilla dhe në fakt, mungesa e provave ku të mbështetësh argumentin, kthehet vetë në provë se sa i kamufluar është i gjithë operacioni. Nga ana tjetër, po i kundërshtove, ti provon se je i përfshirë edhe vetë në të.

Shoqëria shqiptare e ka treguar tashmë se ofron një terren tejet pjellor për këtë lloj industrie. Prej vitesh dëgjojmë e lexojmë se si shqipja është gjuha më e vjetër e botës apo se shqiptarët janë populli që ka themeluar çdo qytetërim europian. Hendeku mes këtij vaniteti kombëtar dhe paranojës politike nuk është edhe aq i madh. Të dyja na thonë se jemi shumë të rëndësishëm nga çfarë tregon gjendja jonë aktuale dhe se ka gjithmonë njerëz e organizata okulte që nuk e lejojnë botën të na njohë se kush jemi në të vërtetë.

Teoritë konspirative rreth zjarreve funksionojnë po njësoj, duke ofruar një komplot në dukje tejet të komplikuar, por që paradokalisht është shumë i thjeshtë për t’u kuptuar edhe nga njeriu më i paditur. Paradoksalisht, sa më i ndërlikuar tingëllon komploti, aq më idiot tingëllon shpjegimi i tij. Por edhe budallallëku ka dobitë e veta politike. Në vend që të ngremë zërin se përse zjarrfikësit tanë janë të kepajisur e të keqtrajnuar, ne i akuzojmë se jua vënë vetë zjarrin pyjeve për të marrë bonsuin e shpërblimit. Ndërkaq, askush nuk iu bie në qafë me pyetje dhe kritika atyre që miratojnë buxhetet dhe planet e parandalimit të këtyre zjarreve.

Ironia është se njerëzit të cilët shohin t’u digjen para syve shtëpitë dhe puna e një jete të tërë kanë çdo arsye t’i kërkojnë llogari shtetit, por dëshpërimi i tyre përdoret si lëndë e parë që dikush tjetër të shtojë audiencën në Instagram e bashkë me të edhe të ardhurat e veta, duke iu dhënë zyrtarëve përgjegjës hapësirën e nevojshme për frymëmarrje, teksa njerëzit luftojnë me armiq imagjinarë. Edhe me porosi ta bënte, qeveria zor se do të gjente mënyrë më të mirë për shfryrjen e zemërimit të njerëzve që zjarret po iu marrin gjithçka.

12 Komente

  1. t
    teoriku

    Zoti gazetar ,te gjithe këta perkrahesit e teorive konspiracioniste jane krejt budallenj , sepse asnji prej tyre nuk e tregon te vërtetën se toka eshte gjysem e sheshtë dhe ajo rri ne kurriz te katër elefantëve qe rrine mbi kurrizin e breshkës gjigande kozmike.Kjo eshte e vërteta .

    Përgjigjjuni
    1. S
      Skypion

      Per kete teorine e konspiracionit, zoteri Bjorni, duhet te pyesesh mesepari nje socialist te vjeter dhe me pervoje, sic eshte Erion Brace. Ay ka hedhur akuzen tronditese se po digjen siperfaqe te tera per te ngritur resorte luksoze. Qytetaret e ndergjegjshem e kane thene edhe me pare, dhe edhe me pare akoma e ka thene Opozita demokrate. Por kjo e Baces merr vlere, meqe eshte socialist. Sepse, i nderuar zoterush, ata qe ngrejne resorte ne kete vend e ne kete kohe jane socialiste. Patronazhistet rrine e djegin vendin mbare, dhe Kerrma rri e veshtron... rri e veshtron resortet qe i fanepsen ne imagjinaten e tij perverse, mbi token e shkrumbuar! Pasi shiti ishullin e vetem te Shqiperise, pasi shkaterroi portin me te madh shqiptar, pasi betonizoi bregdetin, shkaterroi zonat e mbrojtura me ligj, hodhi ne ere Malesine, pikerisht per ti hapur udhe resorteve, tani po djeg mbare Shqiperine. Erjon Brace e ka nuhatur kete, prandaj, edhe pse ne menyre te ndrojtur dhe te palavdishme, megjithate coc po ben, te pakten per te shpetuar surratin e tij, para socialisteve te thjeshte qe paten menduar se Kerrma ishte shpetimtari. Te (pa)nderuar socialiste, syleshe te te gjore, merhume te shkrete e te pashprese, Kerrma, Kerrme eshte e Kerrme mbetet. Pasi e shnderroi ne Kerrme partine tuaj, tani don ta beje kete edhe me Shqiperine. Ka filluar ti vije era Kerrme edhe vendit tone te dashur, pikerisht prej kesaj ngordhesire qe mbani ne krye te partise suaj te kerrmosur. Prandaj, ju bej thirrje te shihni per ndonje xhakete tjeter per ta varur aty ku shkoni e hidhni voten. Nuk e mohoj, qe mund te kete mbetur ndonje socialist i ndershem edhe ne ate kuplara politike; te pakten ndonje lavire nga ato te denja per respekt; jepjani atij voten, dhe bejeni sikter Kerrmen. Do ju jete mirenjohes nje popull i tere.

      Përgjigjjuni
      1. p
        patronazhist

        Sa bythen emir e ke, or sqipjon,shume di me dridh .Socialistet atyre si ti ju rrasin preshin gojës.

        Përgjigjjuni
        1. Z
          Zjarret e saliut me cecenet e tij si hakmarrje

          Ha ha ceceni skopion ka skopiuar nga mendja,resorte ne maj te dajtit,mbrapa dajtit(qaf molle)...e ne maj te cikes apo kudo ku cecenet po i ven flaken Shqiperise per te fajsuar palloshin e per te gjunjezuar qeverine.... Dhe me e cuditeshmja eshte se kapen dhe leshohen nga drejtesija qe eshte ne aleance me sali kriminelin... E keni pare kriminelin sali(qe usa e mori ne nje kinference)qe valviste flamurin si sinjal per cecenet te sulmonin me molotov,ja kete ben ky kriminel qe dikur hidhte ne ere shtyllat e tensionit e sot ka gjetur zjarrin per te shkatrruar Shqiperine.... Dhe drejtesia rri e veshtron e nuk denon

          Përgjigjjuni
          1. V
            Veshi

            Me ke vesh e degjove Bracen apo me ate qe te intereson , se pergjigja e tij ishte per keto teorite konspirative .

            Përgjigjjuni
          2. v
            vlonjat

            Vecoj "Paradoksalisht, sa më i ndërlikuar tingëllon komploti, aq më idiot tingëllon shpjegimi i tij". Kjo fraze me vjen nder mend kur ndjek biseda te ndryshme ne TV, ku i ftuari thote budallalleqe dhe marrezina dhe drejtuesi emisionit (ketu shkelqen nje fare Xh. Malesia) e degjon dhe lejon, madje ben dhe nje sy gjume, deri sa te plotesohet minutazhi emisionit.

            Përgjigjjuni
            1. K
              Klimax

              Me ligj ishin përcaktuar edhe "zonat e mbrojtura", zonat më të virgjëra në Shqipëri dhe po me ligj u përjashtuan si të tilla! Prandaj Björn mos na vendos tabelën e ligjit për mbrojtjen e pyjeve se kur nuk pyetën për "zonat e mbrojtura", do pyesin për pyjet që kanë 36 vjet që digjen e shkatërrohen?

              Përgjigjjuni
              1. N
                Noci

                Mos e shtremberoni deklaraten e deputetit Braçe qe thote se ne vendet ku ndodhin keto fatkeqësi te qellimshme apo natyrore nuk lejohet me ligj asnje lloj ndryshimi .Po ka qene pyll,pyll do te vazhdoje.Pothuajbne te gjitha ato vende qe po digjen nuk mund te nderrohen resorte,apo zona banimi sepse nuk kane ndonje vlere ,nuk kane as resurse qe te tërheqin njerez.Jo çdo vend mund te behet det,ose te pakten lum,ashtu siç nuk mund te behet Theth,Valbonë,Tamare dhe shume vende ne Shqiperi qe historikisht,kane qene tërheqese per Njerëzit vendas apo turiste te huaj.

                Përgjigjjuni
                1. a
                  astrit

                  Pyetja që kam unë është: Përse pyjet nuk trajtohen sipas manualit të mbrojtjes së pyjeve nga zjarri? Përse kjo qeveri nuk e vlerson pyjet si pasuri kombëtare? Pastaj aratisuni në hamendësime e fantazira koti!

                  Përgjigjjuni
                  1. K
                    Kanina

                    Me siguri keta konspiracionistet tane duhet tju vijne ne ndihme per te spjeguar edhe zjarret e medha, qe pati e qe vazhdojne akoma ne Greqi , por sodomos ne Spanje, Francece Gjermani.

                    Përgjigjjuni
                    1. P
                      Paulant Talla

                      Aq sa njohim dhe degjojme aplikuesit per Paketen e Maleve dhe Investitore Strategjike jane dallavraxhinjte dhe maniaket e fallsifikimit te dekumentave dhe rregjistrave te pronave , gjithmone te perkrahur nga politikane dhe pushtetare . Keta jane edhe zjarrvenesat .

                      Përgjigjjuni
                      1. 1
                        1

                        Dhate tri opsione per djegjen e pyjeve .I dyti dhe i treti jane fantazi ,biles e shfrenuar.Opsioni i pare se do ndertohen resorte eshte real dhe me shume mundesi do ndodhe .Nuk them 100% po me siguri do ndodhe

                        Përgjigjjuni

                        Lini një Përgjigje