Rregullorja e re e miratuar nga Gjykata e Posaçme, për ndalimin e telefonave në sallat e gjyqit për avokatët dhe punonjësit e medias, ka ngritur reagime të shumta kundër, si nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë ashtu edhe nga shoqatat e medias.
Veçanërisht avokatët, kanë paralajmëruar bojkotim të të gjitha gjyqeve në gjykatat e posaçme, nëse Rregullorja nuk rishikohet, ndërsa nesër do të mblidhet dhe Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë.
Stefan Topalli, avokat dhe anëtar i Këshillit, thotë se ai refuzon të marrë pjesë në çdo gjyq në gjykatat e posaçme, sepse po shkelet barazia proceduriale. Sipas tij, nuk mundet që gjyqtarët dhe prokurorët të rrinë me telefona, kurse avokatët jo.
"Unë, av. Stefan Topalli, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të avokatëve dhe i Anëtar i Union des Avocats Européens (UAE), refuzoj, në emër edhe të avokatë kryesisht (po ashtu), të jem pjesë në GJKKO në të gjitha shkallët sepse shkelet e drejta e barazisë proçeduriale.
Nëse gjyqtari (trupa përbërëse) dhe Prokurori rrinë me telefona, atëherë pse duhet avokatëve tu ndalohet kjo!
Nejse, Këshillit i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të avokatëve (si organi më i rëndësishëm në vendimmarrje) do mblidhet ditën e Marte me datën 8 shtator 2026 dhe do marrë një VENDIM, sigurisht KUNDRA, ndaj këtij vendimi. S' ka drejtësi pa avokati, këtë ta keni të qartë", shkruan ai.
Avokati Stefan Topalli shkon edhe më tej kur thotë se gjatë seancave gjyqësore, kur avokatët parashtrojnë mbrojtjen e personave të pandehur, gjyqtarët dhe prokurorët janë në 90% të kohës në telefon. Sipas tij, edhe roja i gjykatës ka më tepër pushtet.
"Në Kushtetuta dhe në sallat e Gjyqit shkruhet "Drejtësia është e barabartë për të gjithë, apo Prokurori hyn në derën ku hyn gjyqtari (pa harruar që kur flasim ne avokatët, 90% janë me celularë në dorë Gjyqtarë e Prokurorë)!
Ku roja në gjykatë (jo subjekt procedurial), bën rrolin e ligjvënësit (që duhet proceduar penalisht për shpërdorim detyre dhe pengim ushtrimit të profesionit minimalja); por jo, "drejtësia" qenka në dy subjekte proceduriale (gjyqtar dhe prokuror), ndërsa avokatët janë të izoluar, sikurse klientët e tyre", shkruan ai.
