Ekskluzive/ Debati për pagat e magjistratëve, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela thërret mbledhje urgjente, zbardhen detajet Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.
Kjo është fraza më e kuptueshme nga reagimi i Gjykatës Kushtetuese që, përmes një njoftimi zyrtar për konfliktin e pagave, ka folur në mënyrën më të paqartë, duke mos e thënë troç nëse pas vendimit të saj të shkurtit 2026 duhej apo jo të ndërhynte Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorisë, të cilët përllogaritën pagat e reja në drejtësi.
Apo nëse duhej pritur apo jo Kuvendi, të cilit iu përcoll projektligji një ditë përpara se të skadonte afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, për Kuvendin që Gjykata e përshkruan “autoritetet përgjegjëse”, Gjykata Kushtetuese ka këtë mesazh.
“Arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit përbëjnë qëndrimin zyrtar të Gjykatës për çështjen e shqyrtuar dhe, për rrjedhojë, ato duhet të lexohen e të zbatohen në tërësinë e tyre, në përputhje me parimet kushtetuese të përcaktuara në të.”
Por ku dy pushtet, gjyqësori dhe ekzekutivi, vazhdojnë të patundur në llogoret e tyre, njëra palë duke kujtuar se i takon Kuvendit ta rishikojë ligjin e pagave, ndërsa gjyqësori duke e cilësuar të paprecedentë bllokimin e pagave të reja, gjuha e Kushtetueses është kjo:
“Gjykata sqaron se mënyra e përllogaritjes dhe e ekzekutimit të pagave në administrimin e brendshëm të saj, në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion, nuk mund të interpretohet si përcaktuese për efektet juridike të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 dhe as për detyrimet që ky vendim sjell për autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij.”
Top Channel u konsultua me disa juristë të shquar, të cilët e interpretuan shqip shqip se me këtë frazë Gjykata Kushtetuese shprehet se e ka marrë rrogën sipas përllogaritjes së vjetër, pasi ekzekutimi i pagave u krye sipas fondit buxhetor që kishte.
Pyetja që ka mbetur pa përgjigje është kush e ka shkelur ligjin me moszbatimin e vendimit të saj?
Top Channel