75 Mall Live Search
13:56 / E Hënë, 07 Shtator 2026 / Z S

Balla takohet me të dërguarin e Trumpit: Shqipëria, model i bashkëjetesës ndërfetare

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u takua këtë të hënë më të dërguarin special të presidentit të SHBA-së Donald J. Trump për partneritet global, ambasadorin Paolo Zampolli.

“Temat e diskutimit ishin të shumta dhe produktive. Shqipëria është shembull i rolit dhe partneriteteve për paqe e stabilitet. Jemi krenarë që Shqipëria do të mirëpresë vitin e ardhshëm samitin e NATO-s dhe gjithashtu u vlerësua nga ambasadori anëtarësimi i Shqipërisë përmes kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes”, tha Balla, përcjell A2 CNN-i.

“Shqipëria është një model botëror i bashkëjetesës ndërfetare, ku harmonia ndërmjet komuniteteve fetare ka shërbyer gjithmonë si një themel i rëndësishëm i unitetit dhe kohezionit të shoqërisë shqiptare”.

Deri tani, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë nuk ka dhënë një njoftim zyrtar mbi vizitën dhe temat e diskutimeve.

Burime bëjnë me dije se një prej çështjeve të rëndësishme në këto takime lidhet pikërisht me projektin për krijimin e shtetit sovran Bektashi, edhe pse mbetet e paqartë nëse kjo është tema kryesore e vizitës së tij.