Transporti është një prej sektorëve kryesorë ku vendi ynë duhet të ndërhyjë për të përmbushur objektivat energjetikë dhe klimatikë deri në fund të dekadës. Plani i rishikuar Kombëtar për Energjinë dhe Klimën e identifikon transportin si sektorin me peshën më të madhe në konsumin final të energjisë në vend, ndërsa varësia e tij nga produktet e naftës e bën tranzicionin veçanërisht sfidues.
Për ndryshimin e kësaj strukture, dokumenti i sapomiratuar parashikon një kombinim masash që përfshijnë elektrifikimin e transportit rrugor, zgjerimin e infrastrukturës së karikimit për automjetet elektrike, rritjen e përdorimit të transportit publik, si dhe zhvendosjen drejt mënyrave të transportit me konsum më të ulët energjie.
Sipas projeksioneve të skenarit me masa shtesë të përfshirë në plan, pjesëmarrja e burimeve të rinovueshme në konsumin e energjisë në transport parashikohet të arrijë në rreth 34.8% në vitin 2030, nga vetem 0.5% që është aktualisht. Ky rezultat lidhet me elektrifikimin, por edhe me përdorimin e karburanteve alternative dhe burimeve të tjera të rinovueshme në sektor.
Masat përfshijnë gjithashtu përmirësimin e eficiencës së flotës së automjeteve dhe krijimin e kushteve për përdorimin më të gjerë të mjeteve elektrike. Zhvillimi i rrjetit të pikave të karikimit konsiderohet pjesë e domosdoshme e këtij procesi, ndërsa politikat e transportit synojnë të nxisin edhe alternativa ndaj përdorimit individual të automjeteve.
Paralelisht, PKEK e lidh dekarbonizimin e transportit me zhvillimin e transportit publik dhe hekurudhor. Zhvendosja e një pjese të lëvizjes së pasagjerëve dhe mallrave drejt mënyrave më eficiente të transportit synon të reduktojë konsumin e karburanteve dhe shkarkimet e gazeve me efekt serrë.
Ky kapitull nuk kalon. Transporti yne ne kushte primitive.
10 vjet 30 km hekurudhë!!!!!