(Lajm i përditësuar) - Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që të qëndrojë në seancën e thirrur më 9 shtator.
Këtë e ka konfirmuar deputetja Jehona Lushaku, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar.
Ka deklaruar se vendimin për pjesmarrje në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës e kanë marrë si grup.
“Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e saj prandaj ne kemi bërë thirrje që të konstituohet Kuvendi sa më parë të jetë e mundshme dhe institucioneve t’u kthehet funksionaliteti i tyre. Prandaj kemi vendosur që të marrim pjesë në seancë dhe të japim kontributin tonë për t’i dhënë institucione Kosovës", ka thënë ajo.
Sa i përket çështjes së presidentit, Lushaku ka thënë se nuk është diskutuar për këtë temë.
Deputetja Doarsa Kica – Xhelili para mbledhjes ka thënë se për të nuk hapësirë të marrë pjesë në një seancë që ka kaluar çdo afat kushtetues.
Porse ka thënë se është e hapur për t’i dëgjuar kolegët nga Grupi Parlamentar.
Edhe deputeti Anton Quni ka thënë se do t’i dëgjojë kolegët dhe do të vendosë nëse do të marrë pjesë në seancë.
E deputeti Armend Zemaj ka deklaruar se për thirrjen e seancës konstituive është shkelur çdo afat kushtetues, porse sipas tij, këtë duhet ta vlerësojë Gjykata Kushtetuese.
Deputetët e zgjedhur në qershor, pritet të mblidhen më 9 shtator për të vazhduar seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike e cila ka mbi një vit që zgjat dhe për të hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi të premten e javës që shkoi se seanca e ndërprerë muajin e kaluar do të vazhdojë të mërkurën në orën 11:00.
Dehari e arsyetoi vendimin me marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje, të drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me kandidatin për president të Kosovës.
Zemaj: Kurti e ka shkelur në vazhdimësi Kushtetutën
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka folur para mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj partie, duke komentuar zhvillimet aktuale politike dhe çështjen e respektimit të Kushtetutës.
Ka deklaruar se për thirrjen e seancës konstituive është shkelur çdo afat kushtetues, porse sipas tij, këtë duhet ta vlerësojë Gjykata Kushtetuese.
Zemaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti e kanë shkelur në vazhdimësi Kushtetutën “ose s’e kanë respektuar fare”.
Ai ka theksuar se, përtej debateve politike, çështja kryesore është mbrojtja e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.
“Po tash, duhet ta kuptoni qartë domethënë, krejt këto janë tema të debatit politik, por mbi të gjitha, ideja është mbrojtja e kushtetutshmërisë, edhe e ligjshmërisë”, tha ai.
Ka deklaruar se për thirrjen e seancës konstituive është shkelur çdo afat kushtetues, porse sipas tij, këtë duhet ta vlerësojë Gjykata Kushtetuese.
Quni: Nuk ka grupe në LDK, diversiteti dhe diskutimet e brendshme janë natyrë e partisë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka mohuar se brenda partisë ekzistojnë grupe të ndara, duke thënë se diskutimet e brendshme janë pjesë e natyrës së kësaj partie.
Quni ka deklaruar se dallimet dhe diskutimet mund të bëhen publike ose të mbeten brenda organizatës, ndërsa ka bërë thirrje që çdo tension eventual të ndihmohet për t’u shtensionuar.
“Jo, nuk ka grupe. Ky është diversiteti dhe natyra e Lidhjes Demokratike të Kosovës që të kemi diskutimet e brendshme. Natyrisht ato mund të bëhen mediale apo të mbahen brenda organizatës. Por për një gjë jeni të bindur: një Lidhje Demokratike e Kosovës sa më e unifikuar do të thotë një shpresë dhe progresivitet më i madh për Republikën e Kosovës. Prandaj kisha kërkuar edhe tek ju, për çdo shfaqje të ndonjë tensioni, të na ndihmoni të shtensionuar situata”, tha ai.
Lidhur me pjesëmarrjen në seancë, ai ka deklaruar se pret t’i dëgjojë mendimet e kolegëve brenda LDK-së.
Kica-Xhelili: Nuk marr pjesë në një seancë e cila e ka kaluar çdo afat kushtetues
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica - Xhelili, ka folur para mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj partie, ku pritet të diskutohet edhe çështja e caktimit të seancës së re për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Ajo ka thënë se për të nuk ka hapësirë të marrë pjesë në një seancë që sipas saj ka kaluar çdo afat kushtetues.
“Unë vlerësoj që nuk kam hapësirë për mua si Doars, me gjithë njohuritë e mia juridike që i kam, të marr pjesë në një seancë e cila e ka kaluar çdo afat kushtetues. Jam shumë e gatshme dhe shumë e hapur ta dëgjoj vlerësimin e grupit parlamentar. Dua ta shoh leximin e tyre për këtë çështje. Unë e kam një lexim timin që për mua është krijuar në momentin që është tejkaluar edhe ky dy-tri ditësh shtesë dhe mendoj që nëse në çfarëdo momenti është krijuar vetëdija që mund të eksperimentohet tutje me afatet kushtetuese, kjo gjë duhet të përmbyllet tani. Por Doarsa, si gjithmonë, pavarësisht mendimeve që i ka pasur, gjithmonë ka qenë shumë mendjehapur në raport me mendimet e kolegëve. Por në opinionin tim profesional është krijuar një pamundësi goxha objektive për me marrë pjesë në seancën e radhës”, tha ajo.
Kica-Xhelili ka thënë se situata sa i përket caktimit të seancës së re është komplikuar, duke theksuar se më herët ishte pranuar një afat fleksibil për shkak të paqartësive të krijuara nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Tani është shumë e komplikuar çështja e caktimit të seancës së re, sepse ju e keni parasysh që pavarësisht që afati kushtetues kishte kaluar në gusht, ne u patëm pajtuar që ta konsiderojmë një afat të ri për hir të paqartësive të cilat i kishte lënë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ato paqartësi kishin të bënin me mungesën e pasojave juridike dhe me faktin që Gjykata kishte vlerësuar që në emër të themelimit dhe funksionalizimit të institucioneve lejon të bëhen edhe disa, le të themi, improvizime, sepse fundja kjo kutia e Pandorës nga Gjykata Kushtetuese është hapur nga vendimet e kaluara. Për hir të krejt kësaj vendosëm ta pranojmë idenë e trajtimit të këtij afati fleksibil, por jo të një afati pas afatit”, tha ajo.
VIDEO:
Duke folur për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Kica Xhelili ka kritikuar caktimin e një afati të ri përtej afatit të përcaktuar më herët.
“Çdo afat sot po tejkalon një nuancë të mungesës së plotë të seriozitetit nga vetë zoti Kurti. Natyrisht unë po flas për veten, mendoj që fakti që ka caktuar një afat të ri përtej afatit që ai vetë ka determinuar tregon sa i pa vendosur ka qenë vetë ai për kandidimin e Bekim Sejdiut, sepse po ta kishte seriozisht kandidaturën, së paku më e pakta që do ta bënte ishte që të caktonte një seancë për brenda afatit që e kishte dhënë vetë. Kështu që për mua kjo vetëm flet për mungesën e seriozitetit dhe mungesën e qëllimit real dhe të sinqertë të tij për të zgjedhur vërtetë presidentin e Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së ka thënë se, nga këndvështrimi i saj profesional, nuk e sheh të arsyeshme pjesëmarrjen në një seancë që, sipas saj, ka tejkaluar afatet kushtetuese.