Lajmet e fundit
Fatmir Sheholli, në seancën e parë dëgjimore ndaj tij, është deklaruar i pafajshëm për veprat penale “Spiunazhi” dhe “Shantazhi”.
Në lidhje me këtë rast ka folur edhe ministri në detyrë për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili në emisionin “Kosova Today” ka rrëfyer për disa raste kërcënimesh ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, transmeton Klankosova.tv.
Rashiq tha se më 24 korrik 2025, pesë-gjashtë bashkëpunëtorë të tij ishin kontaktuar nga një numër nga telefoni i Serbisë. Sipas tij, personi në anën tjetër të telefonit ishte prezantuar si punëtor i BIA-s, duke u kërkuar atyre që të shkonin në Beograd dhe të bashkëpunonin.
“Për juve është keq, duhet të vini në Beograd të bashkëpunojmë. Nëse nuk bashkëpunoni me neve, do ta keni gjendjen e keqe”, tha Rashiq, duke parafrazuar mesazhin që, sipas tij, iu ishte përcjellë bashkëpunëtorëve të tij.
Ministri në detyrë tregoi se pas këtij rasti e kishte kuptuar se situata nuk ishte e parëndësishme dhe kishte njoftuar organet e rendit.
“Unë prej atij momenti e dija që situata nuk ishte naive. Shkova ta lajmëroj rastin. Nga organet e rendit mu rekomandua që të presim për të zbuluar kush qëndron prapa këtij procesi”, deklaroi ai në Klan Kosova.
Rashiq tha se fillimisht kishte pranuar rekomandimin e autoriteteve për të pritur dhe për të parë se kush qëndronte pas kërcënimeve. Megjithatë, sipas tij, rasti nuk përfundoi aty.
“Javën e ardhshme, i njëjti numër telefoni dërgoi mesazhin ‘Okej, nuk keni dashur të bashkëpunoni, do ta shihni, ju do ta bëjmë kështu-kështu’”, rrëfeu Rashiq.
Duke folur për procesin gjyqësor ndaj Fatmir Shehollit, Rashiq u shpreh i kujdesshëm për përgjegjësinë, duke theksuar se nuk mund të thotë nëse ai është fajtor.
“Shkurt, nuk e di nëse është fajtor apo jo, por e di se kjo është mënyra se si kanë vepruar me neve”, tha Rashiq.