I dërguari special i administratës amerikane për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, ndodhet në Tiranë, ku ka zhvilluar një seri takimesh me përfaqësues të komunitetit bektashi dhe të politikës shqiptare.
Gjatë qëndrimit në kryeqytet, Zampolli është takuar me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Baba Mondin dhe më pas ka vijuar axhendën e tij me përfaqësues të politikës shqiptare. Ai është takuar me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ndërsa në kuadër të vizitës së tij janë raportuar edhe takime me përfaqësues të Partisë Socialiste dhe qeverisë.
Në një deklaratë për mediat, Zampolli e ka cilësuar vizitën në Shqipëri si një “vizitë kortezie”, ku sipas tij është diskutuar për rëndësinë e miqësisë mes dy vendeve tona.
“Diskutuam për rëndësinë e miqësisë mes dy vendeve tona. Shqipëria është një aleate e shkëlqyer për ne dhe ne, në SHBA, e duam Shqipërinë”, u shpreh ai.
Megjithatë vizita e Zapollit vjen në një moment kur ideja për krijimin e një entiteti sovran bektashi në Tiranë vijon të jetë pjesë e debatit publik. I pyetur nëse shteti bektashi ishte pjesë e diskutimeve gjatë vizitës së tij, Zampolli u shpreh se e lë çështjen në duart e shqiptarëve.
“Mendoj se është një projekt i shkëlqyer, por u takon shqiptarëve të vendosin”, tha ai.
Kujtojmë se nisma për krijimin e Shtetit Bektashi u shpall për herë të parë nga kryeministri Edi Rama në shtator të vitit 2024. Projekti parashikon krijimin në territorin ku ndodhet Kryegjyshata Botërore Bektashiane, në një sipërfaqe prej rreth 11 hektarësh, të një entiteti sovran të konceptuar mbi modelin e Vatikanit.
Baba Mondi e ka mbështetur publikisht këtë ide dhe është parashikuar të jetë drejtuesi i entitetit të ri. Ndërkohë ky projekt është pritur me debate dhe kritika, veçanërisht lidhur me kushtetutshmërinë, sovranitetin dhe mënyrën se si do të funksiononte një entitet i tillë brenda territorit të Shqipërisë.
Nisma ka ngjallur diskutime edhe për ndarjen mes shtetit dhe komuniteteve fetare, ndërsa vetë Rama dhe përfaqësuesit e Kryegjyshatës e kanë mbrojtur projektin si një model të bashkëjetesës fetare.














