Lajme

Rasti i Shehollit, Elezi: Kosova e shqetësuar për rrezikun rreth spiunazhit

09/07/2026 14:40
nga:L J

Fatmir Sheholli është deklaruar i pafajshëm për veprat penale “Spiunazhi” dhe “Shantazhi”, në seancën e parë dëgjimore të zhvilluar ndaj tij.

Për rastin ka reaguar edhe eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, i cili në emisionin “Kosova Today” tha se kjo çështje ka shtuar shqetësimet lidhur me rrezikun e luftës hibride dhe veprimtarisë së spiunazhit në Kosovë.

“Ky rast ka shtuar shqetësimet në Kosovë në lidhje me rrezikun që e kemi për luftën hibride, përkatësisht për spiunazhin. Tashmë janë tre persona të rëndësishëm, mund të them me ndikim, që janë në proces të akuzave”, deklaroi Elezi.

Ai përmendi edhe raste të tjera që, sipas tij, lidhen me persona me qasje dhe ndikim në institucione apo organizata të rëndësishme.

“Është e arrestuara serbe e cila kishte punuar në OSBE, që ka pasur mundësi me ndiku në disa organizata për shkak të pozitës së saj, e kemi Fatmir Shehollin, i cili ka pasur ndikim dhe një PR publik, dhe kemi Fehim Sali, i cili ishte afër presidentit, kryeministrit”, tha ai.

Sipas Elezit, zhvillimet e fundit duhet të shërbejnë si sinjal për institucionet e sigurisë në vend.

“Rasti i Shehollit sot tregon që Kosova me të vërtetë është në një situatë të rëndë, dhe se lufta hibride është prezente”, u shpreh eksperti i sigurisë.