Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për këngëtarin Joz Marku dhe Kristjan Nikollin, të cilët ndaluan në mes të autostradës Eduard Kuçin, e dhunuan dhe e filmuan.
Sipas burimeve për gazetaren Anila Hoxha, prokurori i çështjes ka dorëzuar këtë të hënë në Dhomën Penale të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Joz Markun dhe Kristjan Nikollin.
Të dy këta shtetas janë vënë në pranga ditën e shtunë nga Policia e Tiranës, pasi akuzohen për dhunimin e Kuçit. Këngëtari akuzohet për disa vepra penale, ndërsa Nikolli dyshohet se ka qenë drejtuesi i automjetit tip “Land Rover”, të përdorur gjatë ngjarjes.
Veç Jozefin Markut dhe Kristjan Nikollit, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë janë shpallur në kërkim shtetasit Anton Huli, 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç.
Sipas Policisë së Shtetit, këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar shtetasin Eduart Kuçi, 26 vjeç, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre në rrjetet sociale.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Kristjan Nikolli, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni, si dhe automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur në ngjarje.

