Pamje të reja nga tribuna kanë zbuluar vazhdimin e tensionit mes Morgan Rogers dhe Declan Rice pas përplasjes së tyre të ashpër gjatë fitores së Arsenalit ndaj Chelseat.
Dy reprezentuesit e Anglisë u përfshinë në një moment të tensionuar gjatë ndeshjes, pasi Rice ndali Rogers me një ndërhyrje të fortë gjatë një kundërsulmi të Chelseat.
Rogers, i cili kishte shënuar golin e parë të ndeshjes në humbjen 2-1 të Chelseat, u zemërua pasi arbitri Chris Kavanagh nuk akordoi goditje dënimi.
Në të njëjtin aksion, Cole Palmer dërgoi topin mbi portë dhe gjyqtari vendosi për rivënie nga porta në favor të Arsenalit.
Rogers shtyu Rice pas ndërhyrjes
Pas rrëzimit, Rogers u ngrit menjëherë dhe e shtyu Rice, duke shkaktuar një përplasje të tensionuar mes tyre.
Të dy lojtarët vazhduan të shkëmbenin fjalë, ndërsa bashkëlojtarët u detyruan të ndërhynin për t’i ndarë.
Rogers mori karton të verdhë për reagimin e tij agresiv, ndërsa Rice nuk u ndëshkua.
Megjithatë, pamjet e filmuara nga tifozët dhe që nuk u shfaqën nga kamerat e Sky Sports tregojnë se tensioni mes tyre vazhdoi edhe më pas.
Rice u përpoq ta qetësonte situatën
Në një moment kur dy lojtarët u gjendën pranë njëri-tjetrit, Rice shihet duke folur me Rogers, në dukje duke u përpjekur t’i shpjegonte ndërhyrjen dhe ta qetësonte situatën.
Por Rogers nuk dukej aspak i gatshëm ta pranonte shpjegimin.
Ai reagoi me gjeste të dukshme, duke hapur duart në shenjë pakënaqësie, përpara se të largohej dhe të kthehej në pozicionin e tij, ndërkohë që Rice vazhdonte t’i fliste.
Pak më vonë, Rogers u zëvendësua në minutën e 87-të nga Danny Welbeck.
Tifozët e Arsenalit e provokuan Rogers
Ndërsa largohej nga fusha përgjatë vijës anësore, Rogers u përball edhe me thirrjet provokuese të tifozëve të Arsenalit.
Morgan Rogers was not happy with Declan Rice 😡 https://t.co/Bc46YjJR5F pic.twitter.com/z8ubOeLbKM
— OGB (@Luxboii) September 6, 2026
Nga tribunat u dëgjua kënga: “Duhej të kishe nënshkruar për një klub të madh”.
Ish-lojtari i Aston Villas reagoi me buzëqeshje ndaj thirrjeve.
Gary Neville: “Nuk mund ta besoj që arbitri nuk e pa”
Ish-mbrojtësi i Manchester United, Gary Neville, i cili ishte në rolin e komentatorit, u habit që Rice nuk u ndëshkua për ndërhyrjen.
“Nuk mund ta besoj që arbitri nuk e pa”, tha Neville.
Edhe ish-gjyqtari i Premier League, Mark Halsey, vlerësoi se Rice duhej të ishte ndëshkuar me karton të verdhë.
Ish-gjyqtari shpjegon vendimin
Halsey tha se Rogers kishte bërë një depërtim shumë të mirë në qendër të fushës dhe ishte ndjekur nga Rice, i cili e pengoi qartë.
“Morgan Rogers bëri një vrapim të shkëlqyer në mes dhe Declan Rice e ndoqi, duke e penguar qartë”, tha Halsey.
“Arbitri Chris Kavanagh nuk e pa incidentin dhe Rogers nuk ishte aspak i kënaqur.”
Sipas ish-gjyqtarit, Rogers u ndëshkua për mënyrën agresive me të cilën iu afrua Rice.
“Rogers shkoi drejt Rice dhe përfundoi duke marrë karton të verdhë për sjellje agresive. Por Rice duhej ta merrte kartonin e verdhë që në fillim.”
VAR nuk mund të ndërhynte
Halsey shpjegoi se VAR nuk kishte kompetencë të ndërhynte në këtë rast, pasi bëhej fjalë vetëm për një incident që mund të sillte karton të verdhë.
“Fatkeqësisht, VAR nuk mund të ndërhyjë për shkelje që meritojnë vetëm karton të verdhë”, tha ai.
Megjithatë, Halsey shtoi se gjyqtari anësor mund të kishte ndihmuar Kavanagh në marrjen e vendimit të saktë.
“Mund të mendohej se asistenti në atë krah e kishte parë dhe mund ta kishte ndihmuar arbitrin.”
Ai pranoi se ishte e pafavorshme për Rogers që përfundoi si i vetmi lojtar i ndëshkuar në atë episod.
“Ishte fatkeqësi që Rogers mori kartonin e verdhë, por për shkak të reagimit agresiv ndaj Rice, ky ishte vendimi që u mor.”
Pamjet e reja tregojnë se incidenti nuk përfundoi me përplasjen e parë, ndërsa Rogers mbeti dukshëm i irrituar me shokun e tij të kombëtares edhe pasi Rice u përpoq ta sqaronte situatën. /GazetaExpress/
TGI Fridays, rrjeti i njohur amerikan i restoranteve casual dining, ka nënshkruar një marrëveshje zhvillimi me Devolli Group për...