Lea Salonga ka shkruar historinë në Hollywood, duke u bërë artistja e parë filipinase që nderohet me një yll në Hollywood Walk of Fame.
Aktorja dhe këngëtarja, e vlerësuar me çmime të shumta gjatë karrierës së saj, mori yllin e 2,855-të në bulevardin e famshëm, në një ceremoni ku ishte e rrethuar nga familjarë, miq dhe kolegë.
Gjatë fjalimit të pranimit, Salonga u kthye pas në kohë, te fillimet e saj në skenë në Manila, dhe me humor imagjinoi se si do të reagonte versioni i saj shtatëvjeçar ndaj këtij momenti.
“Shumë kohë para Hollywood-it, shumë kohë para Broadway-t, ishte Manila. Nëse do t’i kishit thënë Leas shtatëvjeçare, kur ajo debutoi në teatër me shfaqjen ‘Mbreti dhe Unë’ në Filipine, se pothuajse gjysmë shekulli më vonë do të qëndronte në Hollywood Boulevard [...] për të marrë yllin e saj në Walk of Fame, ajo do t’ju kishte përgjigjur: ‘Ku është? Çfarë është kjo?’”, tha ajo me shaka.
Salonga theksoi se ky vlerësim nuk është vetëm rezultat i punës së saj personale, duke ia kushtuar një pjesë të rëndësishme të suksesit njerëzve që e kanë shoqëruar gjatë rrugëtimit artistik.
“Asnjë karrierë nuk është kurrë vepër e një personi të vetëm. Pra, nëse do ta bënin këtë yll mjaftueshëm të madh, do të kishte shumë emra në të”, u shpreh aktorja.
Ajo falënderoi familjarët, miqtë, mësuesit, regjisorët, kompozitorët dhe tekstshkruesit që kanë ndikuar në karrierën e saj.
Një moment veçanërisht emocional ishte ai kur Salonga foli për nënën e saj, Ligaya, e cila ishte e pranishme në ceremoni dhe e ka mbështetur që në hapat e parë të karrierës.
Sipas Salongës, nëna e saj jo vetëm që u kujdes për shpenzimet e albumit të saj të parë, por shkoi edhe vetë në dyqanet e muzikës për ta promovuar atë.
“Ajo ishte menaxherja ime për dekada, mbështetësja ime gjatë gjithë jetës. Asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur pa të”, tha Salonga.
Ajo përmendi gjithashtu vëllain e saj, Gerard, kompozitor dhe dirigjent, ndërsa djalin e saj, Nick Chien, e cilësoi si burimin më të madh të frymëzimit.
Me një karrierë prej rreth 45 vitesh, Salonga ka performuar në disa prej eventeve më prestigjioze në botë. Ajo ka marrë pjesë në aktivitete zyrtare për gjashtë presidentë të Filipineve dhe katër presidentë të Shteteve të Bashkuara, ndërsa ka performuar edhe për Princeshën Diana dhe Mbretëreshën Elizabeth II.
Në fund të fjalimit, artistja shprehu dëshirën që ky vlerësim të shërbejë si frymëzim për artistët e rinj filipinas që ëndërrojnë një karrierë ndërkombëtare.
“Shpresoj që një ditë, një fëmijë i vogël nga Filipinet që vjen në Hollywood do ta shohë emrin tim dhe do të mendojë: ‘Ndoshta mund t’ia dal edhe unë këtu’”, përfundoi ajo.
Lini një Përgjigje