Lajme

Policia tregon pse u ndalua parkimi i veturave sot në Kuvend dhe Presidencë

09/08/2026 16:52
nga:G B

Policia e Kosovës ka sqaruar arsyen e ndalimit të hyrje-daljeve dhe parkimit të automjeteve në hapësirat e Kuvendit të Kosovës dhe Presidencës gjatë së martës.

Sipas Policisë, Drejtoria e Shërbimeve Teknike të Kuvendit kishte bërë kërkesë zyrtare që më 8 shtator të mos lejohej hyrja apo parkimi i automjeteve, përveç veturave zyrtare të Kuvendit dhe Zyrës së Presidentes.

Në njoftim thuhet se masa ishte marrë për shkak të pastrimit të oborrit dhe hapësirave të parkingut me mekanizëm adekuat, përfshirë të gjitha hyrje-daljet e objekteve.

Policia ka bërë të ditur se në ditët në vijim pritet të rikthehen procedurat e rregullta për hyrje-daljet dhe parkimin e personave të autorizuar.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, përfshirë edhe zbatimin e kërkesave zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.