Lajme

ATK-ja inkason 813 milionë euro deri në gusht, 14% më shumë se vitin e kaluar

09/08/2026 16:06
nga:L J

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka inkasuar 813 milionë euro të hyra tatimore nga janari deri në gusht të këtij viti, ose 100 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, apo 14% rritje.

Sipas njoftimit të ATK-së, kjo performancë e të hyrave tregon një trend të fuqishëm të rritjes dhe një nivel gjithnjë e më të lartë të mbledhjes së të hyrave tatimore.

“Vetëm brenda një viti, të hyrat janë rritur për afro 100 milionë euro, duke dëshmuar qartë për përmirësimin e performancës në mbledhjen e tatimeve, por edhe për zgjerimin e bazës tatimore përmes përfshirjes së më shumë tatimpaguesve dhe aktiviteteve ekonomike në sistemin formal”, thuhet në njoftim.

Në fund thuhet se me këtë ritëm të rritjes, Administrata Tatimore e Kosovës është shumë pranë tejkalimit të pragut prej 1 miliard euro të hyra tatimore një rezultat i rëndësishëm dhe një tjetër dëshmi e performancës së lartë të ATK-së.