Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në dy kantiere ndërtimi, një në Drenas dhe një në Gjakovë, pasi siç thuhet në njoftim, u konstatuan shkelje të rënda të rregullave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas Inspektoratit Qendror të Punës, gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit të punës, në të dy kantieret janë evidentuar parregullsi që paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
Subjektet e inspektuara janë obliguar që të eliminojnë të gjitha mangësitë e evidentuara dhe të zbatojnë kërkesat ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Punimet do të mund të rifillojnë vetëm pasi inspektorët të kryejnë verifikimet përkatëse dhe të konstatojnë se të gjitha parregullsitë janë eliminuar dhe janë përmbushur standardet e kërkuara të sigurisë.
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa ndaj subjekteve që shkelin rregullat dhe cenojnë sigurinë e punëtorëve do të ndërmerren masat e parapara me ligj.
Në të njëjtën kohë, Inspektorati u ka bërë thirrje punëdhënësve që të respektojnë me përpikëri legjislacionin në fuqi dhe të garantojnë kushte të sigurta pune, duke theksuar se mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i panegociueshëm.


