Fitorja e AfD-së në Saksoni-Anhalt shihet si një zhvillim me peshë të madhe simbolike për politikën gjermane dhe për të ardhmen e Europës.
Dominique Moisi, një nga themeluesit e Institutit Francez për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (IFRI) dhe një prej analistëve më të njohur francezë të gjeopolitikës, e interpreton këtë rezultat jo vetëm si pasojë të veçorive politike të ish-Gjermanisë Lindore, por edhe si shenjë të një transformimi më të thellë të shoqërisë gjermane.
Në këtë intervistë, Moïsi flet për ndikimin e luftës në Ukrainë në votën e gjermanëve të Lindjes, për propagandën dhe ndërhyrjen ruse në politikën europiane, si dhe për mundësinë e ardhjes në pushtet të AfD-së në Gjermani dhe të Rassemblement National në Francë. Sipas tij, Moska synon të krijojë përçarje dhe destabilizim në Europë, ndërsa zgjedhjet e ardhshme në Francë do të jenë vendimtare edhe për drejtimin që mund të marrë Gjermania.
Intervista
Sa peshon lufta në Ukrainë në votën e Gjermanisë Lindore?
Dominique Moïsi: Shumë. Në ish-Gjermaninë Lindore është shumë më e përhapur, krahasuar me pjesën tjetër të Gjermanisë, ideja se politika ndaj Rusisë është e rrezikshme dhe se lufta tashmë është shumë pranë. Duhet të kujtojmë gjithashtu se Rusia i ka përqendruar përpjekjet e saj propagandistike pikërisht në përhapjen e këtij këndvështrimi.
Gjermania është një objektiv i privilegjuar i Moskës, sepse për një kohë dukej si hallka e dobët e botës perëndimore. Mjafton të kujtojmë afërsinë e Gerhard Schröder me Rusinë apo hezitimin e gjatë të Gjermanisë për t’u riarmatosur. Më pas, me Putinin dhe Trumpin, Gjermania ndryshoi kurs pikërisht në një moment kur gjermanët e Lindjes ishin më pak të gatshëm ta pranonin këtë ndryshim.
A është ende e mundur të parandalohet ardhja e AfD-së në pushtet?
Dominique Moïsi: Kjo do të varet edhe nga ajo që do të ndodhë në Francë. Nga ky këndvështrim, zgjedhjet presidenciale franceze të pranverës, të cilat do të zhvillohen përpara zgjedhjeve kombëtare gjermane, do të jenë vendimtare.
Deri tani, gjermanët e shikonin me shqetësim të madh Francën dhe pyesnin veten se çfarë do të ndodhte nëse Rassemblement National do të vinte në pushtet. Tani mund t’i thonë vetes se kjo nuk është më thjesht një hipotezë, por pothuajse një probabilitet.
A ekziston një paralelizëm mes AfD-së dhe Rassemblement National?
Dominique Moïsi: Po, edhe pse RN këmbëngul se është shumë më i moderuar dhe se nuk është një parti e ekstremit të djathtë, por e së djathtës konservatore. Në fakt, ai është distancuar nga AfD-ja.
Mbetet për t’u parë se sa taktike është kjo sjellje dhe sa shumë kjo evoluim pasqyron diçka më të thellë. Në Francë shoh tashmë tre pole: Francën e revolucionit, të përfaqësuar nga La France Insoumise; Francën e përjashtimit, të përfaqësuar nga Rassemblement National; dhe Francën e arsyes, pra partitë e tjera. Problemi është se kjo e fundit nuk po arrin të gjejë një përfaqësim politik.
Friedrich Merz ka ndryshuar qëndrim për emigracionin dhe sigurinë në përpjekje për të frenuar AfD-në. A është rezultati i zgjedhjeve edhe një dështim personal i tij?
Dominique Moïsi: Ata që ishin vërtet kundër emigracionit preferuan të zgjidhnin origjinalin dhe jo kopjen. Por ekziston edhe një element i dytë. Forca e AfD-së në Gjermani, ashtu si edhe e RN-së në Francë, është se asnjëra prej këtyre partive nuk ka pasur ende mundësinë t’i zhgënjejë votuesit e vet, sepse nuk ka qeverisur kurrë.
Tani votuesit tundohen t’u japin një mundësi për t’i vënë në provë. Kësaj i shtohet edhe një problem personal i Merzit. Fillimi i mandatit të tij ka qenë i vështirë. Në sytë e shumë gjermanëve, ai duket madje më arrogant sesa Macroni në sytë e francezëve. Gjermania ndoshta ka kaluar nga “shumë pak” e Scholzit te “shumë” e Merzit.
Çfarë tregon ky rezultat për marrëdhënien e gjermanëve me Rusinë?
Dominique Moïsi: Është padyshim një lajm i mirë për Putinin, por edhe për Trumpin dhe JD Vance-in. Është një lajm i keq për Zelenskyn dhe për Bashkimin Europian.
Kemi përpara një paradoks të jashtëzakonshëm: partitë ultranacionaliste bëhen në fakt parti në shërbim të të huajit, sepse luajnë lojën e Moskës, si në Paris, ashtu edhe në Magdeburg.
A synon Kremlini të destabilizojë demokracitë tona?
Dominique Moïsi: Do të thosha se rusët janë shumë më të aftë të destabilizojnë Europën sesa të përparojnë në terren në Ukrainë.
Në vitin 2027 do të votohet edhe në Francë dhe Itali dhe duhet të bëjmë gjithçka që këto të jenë zgjedhje vërtet të lira dhe të ndershme, “fair elections”, pavarësisht përpjekjeve të gjithanshme të Moskës për të penguar që ato të jenë të tilla.
Putini synon çrregullimin. Në fund të fundit, për të armiku është Brukseli. Një AfD në pushtet në Berlin dhe një Rassemblement National në pushtet në Paris do të ishin një lajm i tmerrshëm për Bashkimin Europian.
Oreksin e Putinit e kenaqet ju o plehra qe e mbushet Europen me Arabe dhe Afrikane qe jetojne ne kurriz te atyre qe punojne nga dy pune te mbajne familjet.