Gjaku blu i magjistratëve dhe çirakët e republikës

8 Shtator 2026, 15:33Blog Nga Ylli Manjani

Pagat e magjistratëve nuk janë më një debat për pavarësinë e drejtësisë. Ato janë tashmë një debat për diskriminimin social që po prodhon vetë shteti.

Një shef komisariati paguhet rreth 90 mijë lekë në muaj. Një prokuror apo gjyqtar, me sistemin që ia ka vendosur vetes, paguhet 900 mijë lekë në muaj e më shumë.

Dhjetëfish diferencë!

Absurd i ulur këmbëkryq!

Shefi i komisariatit është në gatishmëri njëzet e katër orë, shtatë ditë në javë. Nuk e pyet askush nëse është e diel, natë apo festë. Ai del në aksidente, vrasje, protesta, konflikte, operacione policore. Rreziku është pjesë e përditshmërisë së tij. Një vendim i gabuar mund t’i kushtojë jetën.

Po prokurori?
E fillon punën në orën tetë. Në orën nëntë ka pirë kafen e parë. Në drekë është në restorant. Në gjyqe vjen zakonishtni papërgatitur. Në katër pasdite ka mbyllur zyrën. Natyrisht, puna e tij ka përgjegjësi të mëdha juridike, por rreziku fizik krahasuar me policin është pothuajse zero.

Megjithatë, ai paguhet dhjetë herë më shumë.

Kjo nuk është më diferencë page. Kjo është shpallje kastash.

Ironia është edhe më e madhe, kur mendon se pa punën e policit nuk ekziston dosja e prokurorit. Është polici që mbledh provat, ndjek autorët, arreston, ekspozohet në terren. Prokurori ndërton akuzën mbi punën e policisë. Por në fund polici mbetet çiraku, ndërsa prokurori bëhet mbreti.

Kur diferenca bëhet dhjetëfish, nuk ndryshon vetëm paga, as vetëm hierakia. Ndryshon edhe ngjyra e gjakut. Polici ka gjak të kuq. Magistrati ka fituar gjak blu.

Po mësuesi?

Mësuesi, që edukon brezat, merr rreth 75 mijë lekë në muaj. Gjykatësi merr të paktën 900 mijë. Mbi dhjetë herë më shumë.

Me një vendim pagash, Republika e KLGJ-së ka shpallur se ai që dënon njeriun vlen dhjetë herë më shumë se ai që edukon njeriun.

Pastaj habitemi pse zbrazen shkollat dhe mbushen burgjet.

Shoqëria paguan më shumë xhelatin sesa edukuesin.

Ky është mesazhi që japin edhe këto paga.

Të kuptohemi, pagat e mirë janë garanci e pavarësisë së drejtësisë. Askush nuk e mohon që gjyqtari dhe prokurori duhet të paguhen mirë. Por pavarësia nuk është privilegj. Nuk është titull fisnikërie. Nuk është licencë për të ndërtuar një aristokraci financiare brenda administratës publike. Nuk është dekret dallimi social.

Pavarësi do të thotë të jesh i lirë nga ndikimi politik, por nuk do të thotë të jesh i pavarur nga shteti që të paguan.

Sot magistratët praktikisht i kanë thënë Republikës: ne jemi shtresa më e lartë e saj. Mbi policin. Mbi mësuesin. Mbi mjekun. Mbi ushtarakun. Madje edhe mbi deputetin. Mbi kryetarin e shtetit po e po, po Ai se ke mendjen këtu…

Deputeti, që voton ligjet që gjyqtari dhe prokurori janë të detyruar t’i zbatojnë, paguhet rreth 300 mijë lekë në muaj. Gati trefish më pak.

Pra, jo vetëm mbi administratën. Magistratët kanë ngritur veten edhe mbi pushtetin ligjvënës.

Kjo nuk është ndarje pushtetesh. Kjo është hierarki shoqërore e vetëshpallur.

Dhe këtu fillon problemi kushtetues e politik.

Pagat nuk mund të ndërtohen sipas logjikës së kastave. Nuk mund të jetë secili pushtet që i cakton vetes vendin në majë të piramidës. Përndryshe, nesër çdo institucion do të shpallë veten më të rëndësishmin e Republikës.

Parlamenti ka detyrimin të rivendosë logjikën e shtetit. Të ndërtojë një sistem të integruar pagash, ku përgjegjësia, ngarkesa, rreziku dhe rëndësia publike të peshohen me të njëjtën masë për të gjithë. Jo një sistem ku secili pushtet i vendos vetes kurorën dhe pastaj i kërkon qytetarëve ta quajnë këtë “pavarësi”.

Sepse nuk ka pavarësi nga shteti.

Ka vetëm pavarësi brenda shtetit.

Dhe në një republikë, gjaku i askujt nuk mund të jetë blu.

13 Komente

  1. I
    I zemeruarari

    Duhet te shembet nga e para gjyqesori . Sa te pafetyre jane ....... nuk e di a jane njerez apo jo qe pranojne te shperblejne veten me taksat qe paguan populli.

    Përgjigjjuni
    1. q
      qytetar

      Për fat keq ky eshte rezultat I reformës qe u bë me sy mbyllur ose ne menyre amatoreske. Qytetaret shqiptare kishin dhe kane nevoje per drejtesi normale me standarte europiane ,që duhet te kete respekt special per te drejtat e njeriut , ku duhet te punojne juriste te mire shkolluar ne menyre speciale .Reforma bëri një vrime ne ujë ,sistemi eshte pothuajse I njejte nga mendësia si ai perpara reformës dhe kjo eshte perditë ne sytë e çdo shqiptari.

      Përgjigjjuni
      1. H
        Hallexhiu

        Perball toges pushkatimit si i vinte enver hoxha dhe e kan pak

        Përgjigjjuni
        1. O
          Oficeri dulles

          E kam paralajmeruar Ramen 2-3 vjet para shkrije SPAK-un se do te te haje koken

          Përgjigjjuni
          1. 1
            1

            Manjani shkruan gjithnje drejt dhe me logjike juridike.Z.Manjani do ishte me mire te vinit gishtin ne plage.E gjith kjo zallomahi eshte rezultat i piramides se pagave.Kjo nuk eshte bere nga ekonomiste me logjik po nga ca injorante qe kane vene ne maj te piramides shoket dhe vehten e tyre Fundin e piramides e kane mbushur me pensionistet.Turp per nje parti te majte.Paga qe kerkojne magjistratet eshte jashte logjike dhe realiteti.Meqense ata turp nuk kane qeveria duhet te ulet dhe te regulloj edhe njehere piramiden e pagave duke filluar nga legjislativi,duke shikuar pensionet e vecanta dhe te gjithe te dalin te kenaqur

            Përgjigjjuni
            1. N
              Nikoll Kamshi

              Analiza është llogjike dhe shumë e vlefshme wwë ata që i kanë në dorë punët e shtetit t'i thërrasin mendjes,mos të lejojnë që karroca të drejtoj kalin. Krahasimet në paga që bën Manjani duhet të jenë plan pune e institucioneve përkatëse.

              Përgjigjjuni
              1. O
                Ola

                Bravo Manjani,super analize,te pacipet prokurore kane kapur majat

                Përgjigjjuni
                1. a
                  atdhetari

                  YLLI JE MJESHTER I PENES . E KE QARE FARE KETE KONSTATIM TE TMERRSHEM DHE TE DHIMSHEM . MENDUAM SE DO TE BEJNE DREJTESI , POR DREJTESINE PO E COJNE POSHTE E ME POSHTE . PROKURORET JANE BERE DEMBELAT ME TE MEDHENJ TE SISTEMIT GJYGJESOR . REFORMEN NE DREJTESI KETA KASAPE TE SISTEMIT GJYGJESOR , PO E COJNE NE REGRES . GJYNAH GJYNAH GJITHE AI INVESTIM GJIGAND . DHE TANI . MEQENESE JANE BERE MILIARDERE , ME SHTEPI E VILA , E MAKINA TE SHTRJTA , DUAN DHE TU NGRIHET RROGA , KETYRE DALLKAUKEVE . JAZEK U QOFTE .

                  Përgjigjjuni
                  1. H
                    Halli

                    Ne nje rast me eshte dashur te takohem me nje prokurore,jam ala e befasuar nga arroganca dhe plus injoranca e saj .....

                    Përgjigjjuni
                    1. N
                      Nesti Andoni

                      Ti gëzojmë kuadrot tona

                      Përgjigjjuni
                      1. S
                        Shqipëria sot!

                        Për herë të parë që jam i një mëndjeje me këtë Manjanin! Por kjo është Shqipëria sot. Asgjë siç duhet!

                        Përgjigjjuni
                        1. H
                          Haka Tekizoti

                          Bravo! Logjikë e pakundërshtueshme, përveç kastës së vetëshpallur si e tillë. Nga këta nuk mund të presësh kurrë drejtësi, do të ishte gati absurde, sepse një i palogjikshëm nuk mund të jetë i drejtë, është mendërisht i paaftë të jetë i tillë.

                          Përgjigjjuni
                          1. M
                            Malokeri me gjak blu, mos e dhente Zoti

                            Magjistratet kane korupsion likuid ne vena e jo gjak blu.

                            Përgjigjjuni

                            Lini një Përgjigje