Lajmet e fundit

Një 27-vjeçar është arrestuar nga Forca e Posaçme “Shqiponja” në Tiranë, pasi u kap duke përgatitur lëndë narkotike në doza, me qëllim shitjen e tyre në zona të ndryshme të kryeqytetit shqiptar.
Në kuadër të aksioneve për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e “Shqiponjave” konstatuan të riun në një automjet të parkuar në rrugën “Jordan Misja”, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Policisë, shtetasi me iniciale J. C., 27 vjeç, banues në Paskuqan, ishte duke ndarë lëndët narkotike në doza. Në momentin që ka konstatuar praninë e shërbimeve të policisë, ai ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur pak më vonë.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të automjetit, efektivët gjetën dhe sekuestruan doza me kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe përzierje Crack dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.