Lajmet e fundit

Policia e Kosovës ka parandaluar një garë ilegale të shpejtësisë në Prizren.
Rasti ka ndodhur më 6 shtator, rreth orës 03:47, në rrugën “Ukshin Hoti”, gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së trafikut nga Njësitet Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Policisë, zyrtarët policorë kanë hasur dy automjete duke zhvilluar gara shpejtësie dhe i kanë ndaluar menjëherë.
Ndaj të dy ngasësve janë ndërmarrë masat ligjore për kundërvajtjet e shkaktuara. Secili prej tyre është dënuar me 400 euro gjobë, katër pikë negative dhe 10 muaj ndalim të drejtimit të automjetit.
Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të shmangin sjelljet e rrezikshme që mund të rrezikojnë jetën e pjesëmarrësve në komunikacion.