Lajmet e fundit

Në Galerinë e Arteve, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, sonte në orën 19:00 hapet ekspozita personale e fotografit Visar Kryeziu, me titull “Ditari i një fotografi të luftës”.
Ekspozita sjell për publikun një pjesë të ditarit vizual të Kryeziut nga vitet e luftës në Kosovë, përmes fotografive që dokumentojnë momente, njerëz dhe ngjarje të një prej periudhave më të dhimbshme të historisë së vendit, raporton Klankosova.tv.
Përmes imazheve, fotografi rikthen kujtime dhe dëshmi nga koha e luftës, duke e shndërruar fotografinë në një dëshmi të gjallë të asaj që ka ndodhur. “Ditari i një fotografi të luftës” nuk është vetëm një ekspozitë fotografike, por edhe një udhëtim në kujtesën kolektive, përmes syrit të një fotografi që ishte dëshmitar i ngjarjeve në terren.
Platforma qytetare “Liria Ka Emër” dhe Galeria e Arteve kanë bashkuar forcat për të sjellë krijimtarinë e autorit Visar Kryeziu. Ky projekt vjen si përkrahje për figurat e UÇK-së që ndodhen në Hagë, duke shërbyer edhe si paralajmërim për Marshin për Liri që pritet të zhvillohet gjithashtu në kryeqytet. /Klankosova.tv
