Lajmet e fundit

Pas një hetimi intensiv, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit A. S., 52 vjeç, banues në fshatin Mallkeq, si autorin e dyshuar të zjarrvënies në vendin e quajtur “Qafa e Petës”.
Në përfundim të veprimeve hetimore, 52-vjeçari është arrestuar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Policisë, si pasojë e përhapjes së zjarrit të ndezur nga i dyshuari, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër, si dhe pemë ulliri.
Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen janë shpallur në kërkim edhe R. S., 62 vjeç dhe I. S., 35 vjeç, banues në fshatin Mallkeq. Dy personat, përkatësisht vëllai dhe kushëriri i të arrestuarit, dyshohet se gjatë shoqërimit të A. S. kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, duke penguar kryerjen e detyrës, dhe më pas janë larguar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.