Huthit sulmojnë Arabinë Saudite me dronë dhe raketa: Po godasim armikun saudit

8 Shtator 2026 | 12:07

Konflikti në Jemen po hyn në një fazë të re përshkallëzimi, pasi rebelët Huthi, të afërt me Iranin, kanë njoftuar sulme të koordinuara me raketa dhe dronë ndaj disa objektivave në jugperëndim të Arabisë Saudite.

Lëvizja Ansarallah, e njohur si Huthit, deklaroi të hënën se kishte goditur disa objektiva saudite, mes tyre aeroportin ndërkombëtar të Abhas, bazën ajrore King Khalid dhe instalacionet e kompanisë së naftës Saudi Aramco në Abha dhe Jizan.

“Dronët dhe raketat jemenase po godasin armikun saudit”, deklaruan Huthit përmes kanaleve të tyre të komunikimit, duke i paraqitur sulmet si hakmarrje ndaj bombardimeve saudite në Jemen.

Sulmet janë raportuar në qytetet Abha, Khamis Mushait, Jizan dhe Najran. Raportet fillestare flasin për shpërthime pranë bazës ajrore King Khalid, ndërsa nuk është bërë ende e qartë shkalla e dëmeve në objektet ushtarake.

Një shqetësim i veçantë lidhet me raportimet për goditjen e objekteve të Saudi Aramco në Jizan. Rafineria në këtë zonë ka një kapacitet përpunimi prej rreth 400 mijë fuçi naftë në ditë dhe përbën një hallkë të rëndësishme të infrastrukturës energjetike të Arabisë Saudite. Kompania nuk ka konfirmuar deri tani nëse sulmi ka ndikuar në aktivitetin e saj.

Nga ana tjetër, autoritetet shëndetësore të kontrolluara nga Huthit raportuan viktima nga sulmet ajrore saudite në veriperëndim të Jemenit. Sipas tyre, një burg në qytetin Al-Hazm, në provincën Al-Jawf, u godit, duke shkaktuar të vrarë dhe të plagosur. Huthit pretendojnë se shtatë persona, mes tyre një fëmijë, humbën jetën dhe shtatë të tjerë u plagosën. Arabia Saudite nuk ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin.

Riadi i ka cilësuar sulmet e Huthive si “sulm terrorist” dhe ka paralajmëruar një përgjigje ushtarake. Ndërkohë, shkalla e dëmeve në zonat e goditura vijon të vlerësohet.

Qeveria jemenase paralajmëron ofensivë për rimarrjen e Sanasë

Përshkallëzimi po shtrihet edhe në frontin tokësor brenda Jemenit. Qeveria jemenase e njohur ndërkombëtarisht dhe e mbështetur nga Arabia Saudite ka njoftuar se ka marrë vendimin për të rimarrë kryeqytetin Sana, i cili ndodhet nën kontrollin e Huthive që prej vitit 2014.

“Forcat tona kanë marrë vendimin për të rimarrë Sananë”, deklaroi zëvendësministri i Mbrojtjes i Jemenit, gjeneralmajor Samir al-Sabri, duke paralajmëruar se operacioni mund të përmbajë zhvillime që nuk do të bëhen publike paraprakisht.

Forcat qeveritare kanë nisur kundërsulme në provincat e Taizit dhe Hodeidah, ndërsa zhvillimet e fundit rrisin shqetësimet për zgjerimin e konfliktit drejt zonave pranë ngushticës strategjike Bab el-Mandeb.

Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike saudite dhe kërcënimet e Huthive ndaj anijeve në Detin e Kuq krijojnë një korridor të ri rreziku, nga Bab el-Mandeb deri te infrastruktura e naftës së Arabisë Saudite.

Përshkallëzimi mund të ketë pasoja jo vetëm për sigurinë rajonale, por edhe për transportin ndërkombëtar dhe furnizimin energjetik, pasi Deti i Kuq është një nga korridoret kryesore detare që lidhin Azinë me Kanalin e Suezit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protestat kundër AfD-së përfshijnë Gjermaninë: Fashizmi nuk është alternativë

Mijëra gjermanë kanë organizuar protesta kundër partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) pas fitores vendimtare të partisë në zgjedhjet shtetërore, duke paralajmëruar...
18:27 | 08/09/2026

Trump bisedë telefonike me Putin, zbulohen detaje nga diskutimi mes dy liderëve

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump zhvilloi të martën një bisedë telefonike me homologun rus, Vladimir Putin, njoftoi Kremlini. Siç u bë e ditur, të dy udhëheqësit...
17:56 | 08/09/2026

11 vende evropiane dhe Kanadaja njoftojnë sanksione tregtare ndaj vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca ishin midis 12 vendeve që njoftuan të martën sanksione të reja tregtare mbi vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar,...
17:22 | 08/09/2026