Zjarret në qarkun e Dibrës, prefekti: Kanë qenë të qëllimshme, dëmet janë të mëdha
Tre vatra zjarri janë ende aktive në Qarkun Dibër. Prefekti Nexhbedin Shehu tha se situata më problematike mbetet në fshatrat Lundre e Madhesh të Njësisë Administrative Ulëz në Bashkinë e Matit, ndërsa shqetësuese është edhe vatra e zjarrit e cila ka hyrë në malin e Balgjajt në territorin e Bashkisë Klos. Prefekti Nexhbedin Shehu tha se gjatë këtyre ditëve është punuar në rrugë tokësore dhe ajrore për shmangien e dëmeve në jetë njerëzore dhe banesa, ndërsa operacioni vijon në Lundre e Madhesh ku dhe rrezikohen banesa.
Nga ana tjetër Prefekti Nexhbedin Shehu tha se të gjitha zjarret janë të qëllimshme e për disa prej tyre ka patur autor, ndërsa policia po heton rastet e tjera. Shehu vijoi apelin e tij për banorët që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bëhen shkak për ndezjen e zjarreve.
“Zjarret nuk janë të rastësishme. Mund të ketë nga pakujdesia, por edhe të qëllimshme. Kemi raste të ndalimit nga policia. Kemi çdo ditë mbi 5-6 zjarre. Në zonat larg zonave të banuara nuk ka arsye të ketë zjarre. Këtë vit i ka favorizuar edhe vera e thatë. Dëmet janë shumë të mëdha”, tha prefekti.
Edhe vatra e zjarrit në malin e fshatit Vajkal në Bulqizë është ende aktive ndërsa flakët i janë drejtuar masivit pyjor të fshatit Shëngjun të Bashkisë Klos.




