Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka kritikuar çmimin e lartë të karburantit në Shqipëri, duke e cilësuar si një faktor kryesor në rritjen e kostove për familjet, fermerët dhe bizneset.
Sipas saj, rreth 60% e çmimit përbëhet nga taksat, ndërsa përqendrimi i tregut dhe mungesa e kontrollit shtetëror ndikojnë gjithashtu në çmimet e larta.
Tabaku kërkoi ndryshimin e sistemit aktual, duke argumentuar se karburanti i shtrenjtë rëndon të gjithë ekonominë dhe qytetarët.
Deklarata:
Çmimi i karburantit është një nga arsyet kryesore të rritjes së çmimeve. Sot të gjithë paguajmë më shtrenjtë: nga transporti i fëmijëve te produkti në fermën e fermerit dhe te çdo biznes që detyrohet të rrisë çmimet për shkak të rritjes së kostos së karburantit.
Kjo rritje nuk është aq e importuar, sesa shkaktohet nga faktorë të brendshëm.
Së pari, janë taksat. Rreth 60% e çmimit të karburantit përbëhet nga taksat, duke e renditur çmimin e karburantit në Shqipëri ndër më të lartët në rajon, madje edhe ndër më të lartët në Europë.
Arsyeja e dytë lidhet me tregun dhe monopolet, si edhe me faktin se një pjesë e madhe e këtyre bizneseve zotërojnë të gjitha hallkat e zinxhirit.
Arsyeja e tretë është mungesa e kontrollit dhe e mbikëqyrjes nga shteti, duke e kthyer karburantin në Shqipëri në një produkt luksi dhe duke i detyruar shqiptarët të furnizohen përtej kufirit.
Ky është sistemi që duhet të ndryshojmë. Është sistemi i tregtimit me pakicë, nga i cili vuan qytetari shqiptar, fermeri dhe çdo prind që paguan më shtrenjtë për karburantin.
Ky sistem e ka kapur prej fyti ekonominë dhe sektorët kryesorë të saj. Duhet të ndryshojë dhe kjo është një prej arsyeve për të cilat qytetarët protestojnë prej më shumë se 100 ditësh.














