Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka marrë masë administrative me gjobë dhe pezullim të aktivitetit ndaj subjektit “Polyeco Albania” Sh.p.k., pas konstatimit të shkeljeve në procesin e administrimit, klasifikimit dhe transferimit të mbetjeve.
Sipas IKMT-së, në vijim të gjurmimit të rrugës së mbetjeve, kontrolli ka evidentuar shkelje ligjore lidhur me mënyrën e klasifikimit, dokumentimit dhe administrimit të tyre.
Po çfarë është “Polyeco Albania”?
“Polyeco Albania” Sh.p.k. është një kompani e themeluar në vitin 2009, e cila operon në fushën e menaxhimit të mbetjeve industriale të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. Kompania është me kapital të huaj me origjinë greke dhe, sipas të dhënave të regjistrit të biznesit, administratori i saj është Ioannis Karakolis.
Selia e regjistruar e kompanisë rezulton në Rrugën “Dervish Hima”, Tiranë, ndërsa aktiviteti i saj në fushën e mbetjeve të rrezikshme lidhet me një stacion transferimi në zonën industriale të ish-Metalurgjikut, Bradashesh, Elbasan, pranë laboratorit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

Kompania ka si aktivitet kryesor grumbullimin, paketimin, transportin dhe magazinimin e përkohshëm të mbetjeve, si dhe transferimin e tyre për trajtim përfundimtar në subjekte të licencuara.
Pra, në thelb, Polyeco Albania duhet të marrë mbetjet nga subjektet që i prodhojnë, t’i identifikojë dhe klasifikojë sipas natyrës së tyre, t’i paketojë, dokumentojë, transportojë dhe t’i dorëzojë për trajtim ose asgjësim te subjekte të autorizuara.
Por sipas njoftimit të IKMT, gjatë verifikimeve janë konstatuar shkelje në mënyrën se si kompania administronte, klasifikonte dhe transferonte mbetjet.
Një prej rasteve të evidentuara lidhet me një material të regjistruar si “karbon aktiv”. Sipas IKMT-së, bëhej fjalë për absorbentë dhe materiale me substanca të rrezikshme, por pas verifikimit të natyrës dhe origjinës së materialit rezultoi se kodi me të cilin ishte regjistruar nuk përputhej me karakteristikat reale të mbetjes.
Probleme janë konstatuar edhe në dokumentacionin e transferimit. Sipas IKMT janë gjetur mospërputhje mes kodeve të mbetjeve që “Polyeco Albania” kishte regjistruar dhe transferuar dhe kodeve të përcaktuara në kontratën me subjektin pritës.
Një tjetër shkelje e evidentuar është se kompania kishte pranuar dhe administruar mbetje që nuk përfshiheshin në lejen apo autorizimin e saj të aktivitetit.
Pra, sipas gjetjeve të IKMT-së, problemi nuk qëndron vetëm te dokumentacioni, por te fakti që disa mbetje nuk ishin klasifikuar sipas natyrës së tyre reale dhe se subjekti kishte administruar kategori mbetjesh për të cilat nuk rezultonte i autorizuar.
Për këto shkelje, IKMT ka vendosur ndaj “Polyeco Albania” gjobë, shuma e së cilës nuk bëhet publike, dhe pezullim të aktivitetit të menaxhimit të mbetjeve.














