Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur në Shkodër, ku Ylber Luli mbeti i vrarë pas të shtënave me armë dhe i ati Qamil Luli mbeti i plagosur. Ngjarja ndodhi rreth orës 5:30 të mëngjësit në banesën e viktimës.
Pasi janë konfliktuar gjatë mbrëmjes në një lokal në zonën e Gjuhadolit, autori i dyshuar rreth orës 5:00 të mëngjesit ka shkuar në banesën e viktimëa me idenë për t’u sqaruar.
Me vete i dyshuari i vrasjes kishte edhe një pistoletë. Në bisedë e sipër, viktima dhe autori janë përleshur me njëri tjetrin fizikisht ndërsa në këtë përleshje është përfshirë edhe babai i viktimës Qamil Luli.
Sipas policisë së Shkodrës, babë e bir kanë plagosur me thikë shtetasin Andri Vulaj. Ky i fundit në konflikt e sipër ka nxjerrë armën, një pistoletë që kishte me vete duke qëlluar në drejtim të 24 vjeçarit i cili humbi jetën. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet.
Fillimisht efektivët bënë ndalimin e autorit të dyshuar Andri Vulaj si dhe sekuestruan armën e dyshuar të vrasjes pistoletë me të cilën dyshohet se autori qëlloi viktimën.
Viktima Ylber Luli është parë duke qëndruar deri në orët e vona jashtë banesës brenda makinës së tij bashkë me një person tjetër ndërsa rreth orës 2 pas mesnate është futur në banesë.
Tri orë më pas, Andri Vulaj shkoi në shtëpinë e viktimës duke qëlluar ndaj Ylber Lulit pas përleshjes fizike dhe plagosjes me thikë mes tyre. Policia vendore e Shkodrës është duke hetuar për të bërë të mundir zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.














