Rruga e përbashkët e të paktën 130 banorëve të Kompleksit “Kika 1” në Tiranë po dëmtohet nga mjete të tonazhit të rëndë që transportojnë mallra të ndryshëm ndërtimi në një kantier në zonën pranë. Segmenti privat që kalon përmes kompleksit po përdoret nga kompania e ndërtimit “TDT & PARTNERS” sh.p.k. me pronarë Glendi Abdi, Dajlan Avdia dhe administrator Klejdi Ngjela, pa autorizimin e banorëve.
Këta të fundit theksojnë se rruga brenda kompleksit u shërben për hyrje-dalje dhe akses në parkime, por qarkullimi i paautorizuar i mjeteve të tonazhit të rëndë përgjatë saj po shkakton bllokim të qarkullimit, dëmtime të infrastrukturës dhe shqetësime të vazhdueshme për komunitetin.
Ndërsa vijojnë protestën, banorët e Kompleksit Kika 1 kanë depozituar kallëzim penal ndaj administratorit të “TDT & PARTNERS”, Klejdi Ngjela, ndaj shoqërisë si person juridik, si dhe ndaj drejtuesve dhe personave të tjerë përgjegjës që mund të identifikohen gjatë hetimit.
Në kallëzimin penal, banorët pretendojnë se sipërfaqja nëpër të cilën kalojnë mjetet e rënda nuk është rrugë publike, por pjesë e pronës së përbashkët dhe hapësirë funksionale e kompleksit. Ata thonë se kompanisë nuk i është paraqitur asnjë titull pronësie, servitut i regjistruar, marrëveshje me bashkëpronarët apo vendim gjyqësor që do ta autorizonte përdorimin e kësaj rruge.
Në dokumentacionin e kallëzimit kërkohet këqyrja urgjente e vendit, verifikimi i pronësisë dhe i çdo titulli ligjor që mund të ketë kompania për përdorimin e rrugës, si dhe kontrolli i plotë i dosjes së lejes së ndërtimit dhe dokumentacionit të kantierit. Banorët kërkojnë gjithashtu identifikimin e personave që kanë urdhëruar apo organizuar hyrjen e mjeteve të rënda dhe ekspertizë për përcaktimin e kufijve të pronës, dëmit të mundshëm dhe rrezikut të krijuar.
Në dokumentacionin e tyre ata kanë administruar edhe një shkresë të Drejtorisë Vendore të ASHK-së Tiranë Jug, të datës 21 gusht 2026, së bashku me kartelën e pasurisë dhe fragmentin e hartës kadastrale, të cilat sipas tyre mbështesin pretendimin se bëhet fjalë për sipërfaqe funksionale të kompleksit.










