Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi thotë se deklaratat e bëra nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj në intervistën e pestë të dhënë për Syri Tv, janë të mjaftueshme që SPAK të niste sot një valë arrestimesh dhe hetimesh intensive për afera korruptive, sipas tij, si ajo e kompanisë shtetërore të prodhimit të armëve të quajtur KAYO.
Në një deklaratë për mediat, Boçi shprehet se bazuar në pretendimet e Ahmetajt dhe përgjimet që publikoi ky i fundit, izraeliti Ron Yeffet do të jetë koordinatori i ri i kryeministrit Edi Rama për trafikun e armëve, tenderat, burimet natyrore dhe energjetike, si dhe financat e ‘familjes Rama’.
Deputeti demokrat nënvizon se “që mbrëmë pas intervistës, në një shtet serioz do të kishin kërcitur dyert dhe prangat”.
Deklarata e Luçiano Boçit:
Përgjimi i publikuar nga nr. 2 i ‘Qeverisë Rama 2’, Arben Ahmetaj, duhet të kishte shkaktuar një tërmet arrestimesh, që sot, nga SPAK.
Shqiptarët dhe organet hetimore mësuan dje, nga përgjimet e organeve ligjzbatuese të vendeve partnere, se Edi Rama e ka gjetur shpejt zëvendësuesin e Ergys Agasit për të koordinuar me krimin e organizuar, siç e pranon koordinatori i ri, ‘për punët e pista të qeverisë’.
Tutori i ri, që do të kujdeset për trafikun e armëve, tenderat, burimet natyrore dhe energjetike, si dhe financat e ‘familjes Rama’, është Ron Yeffet, nëpërmjet kompanisë KAYO dhe kompanisë tjetër nënkontraktore Timak Defence.
‘TIMAK Defence ka 14 punonjës, me një kosto prej 140 mijë eurosh në vit. Kjo kompani ka bërë vetëm 240 mijë lekë pajisje ushtarake. Kapitali i TIMAK Defence është negativ, pra Ron Yeffet nuk ka investuar asgjë, por ka futur tubin në buxhetin e shtetit për të thithur paratë e shqiptarëve. Ka marrë vetëm një tender prej 3.1 milionë eurosh dhe nuk ka investuar asgjë’.
Ky është denoncimi i ish zv/Kryeministrit Ahmetaj, dhe siç figuron në QKB, Timak Defence zotërohet 80% nga Ron Yeffet dhe Arjeta Puca, ndërsa 20% nga shteti shqiptar.
Në përgjimet e zbardhura del qartë se si, një kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s ngre një kompani e cila merr armë të trafikuara nga kontrabandistët në Afrikë, u ndryshon stampën në Shqipëri, me qëllim që t’ua shesë vendeve antare të NATO-s.
Ahmetaj denoncoi se, për llogari të Ron Yeffet dhe trafikut të armëve, po grabitet Delvina.
Ahmetaj denoncoi se takimet bëheshin nga Rama dhe koordinoheshin nga Yeffet, ndërsa më pas çdo gjë mbyllej me firmën e ministrit Nufi, ose ‘Ermal Raketës’.














