Një 41-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali pasi në banesën që kishte në dispozicion në Bernareggio, policia ka gjetur rreth 70 kilogramë kokainë dhe 170 mijë euro cash.
Sipas autoriteteve italiane, 41-vjeçari, i cili ishte i njohur më parë për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike, lëvizte me një automjet tip Jeep Renegade.
Policia fillimisht kreu një kontroll në një parking në Bernareggio dhe më pas kontrolloi banesën që ishte në dispozicion të tij. Gjatë kontrollit, në dhomën e gjumit u zbuluan disa çanta të mëdha, brenda të cilave ishin fshehur sasitë e drogës dhe paratë.
Kokaina ishte e ndarë në pako të presuara dhe të vulosura me shirit ngjitës të kuq. Ndërkohë, 170 mijë eurot ishin sistemuar në tufa, të ndara sipas prerjes së kartëmonedhave.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi gjithashtu dy telefona celularë, si dhe disa sende me vlerë, mes tyre një orë Rolex dhe një byzylyk. Për origjinën e këtyre sendeve po kryhen verifikime të mëtejshme.
Në përfundim të operacionit, 41-vjeçari u arrestua me akuzën e mbajtjes së lëndës narkotike me qëllim shitjen, me rrethanën rënduese të sasisë së madhe të drogës.
Seanca për vleftësimin e arrestimit ishte parashikuar të zhvillohej këtë të martë, më 8 shtator, përpara gjyqtarit për hetimet paraprake të Monzës, Marco Formentin.














