Ngërçi për pagat paralizon shërbimet gjyqësore, administrata kërkon rritjen e pagave

Aktualitet | 4 orë më parë

Ngërçi me pagat në sistemin e drejtësisë ka sjellë një kolaps në punën e gjykatave të Tiranës, përfshirë Dhomën Civile, Dhomën Penale dhe Gjykatën e Apelit.

Administrata dhe sekretariatet e gjykatave kanë vendosur të bojkotojnë punën, duke zhvilluar vetëm seancat për masat e sigurimit. Për këtë vendim janë njoftuar edhe drejtuesit e këtyre institucioneve.

Punonjësit kërkojnë nga qeveria dhe institucionet e sistemit të drejtësisë zgjidhjen e problematikës me pagat, si dhe të dinë se kur do të marrin pagën e muajit gusht. Ata kërkojnë gjithashtu të qartësohet formula me të cilën do të përllogaritet paga e tyre pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në të njëjtën kohë, drejtuesit e institucioneve të drejtësisë po diskutojnë për zgjidhjen e situatës dhe hapat që do të ndërmerren. Në Prokurorinë e Përgjithshme u zhvillua një takim me drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Shoqatës së Prokurorëve, ku u kërkua një zgjidhje e shpejtë dhe në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Në takim u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë, funksionimit normal dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë.

Konflikti nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese.

Pas përfundimit të këtij afati, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë argumentuan se duhet të zbatohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe përcaktuan pagën referuese në 222 425 lekë, nga 156 800 lekë që ishte më parë, plus shtesën prej 14 000 lekësh për nivelin e kualifikimit.

Por Ministria e Financave nuk i ka ekzekutuar listëpagesat e përllogaritura me rritje, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit dhe duke kërkuar që listëpagesat të ridërgoheshin sipas metodologjisë së mëparshme.

Për pasojë, pagat e muajit gusht janë bllokuar për gjyqtarët, prokurorët, si edhe për punonjësit e administratës së gjykatave dhe prokurorive.

Gazetare: Lusi Përgjgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme