Rama: Jemi ngritur në nivel të lartë të mbrojtjes kibernetike. Po punojmë për e-Albania 2.0, standarde të reja shërbimi dhe aksesueshmëri më të lehtë
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin e Dytë të Inovacionit, me fokus Inteligjencën Artificiale dhe zhvillimin e sektorit të teknologjisë në Shqipëri, ku foli për transformimin digjital të vendit dhe sfidat që sjell ritmi i shpejtë i zhvillimit teknologjik.
Rama tha se zhvillimet e reja në teknologji përbëjnë një mundësi të madhe për Shqipërinë, por njëkohësisht edhe një sinjal alarmi, pasi vendi rrezikon të mbetet pas nëse nuk ecën me ritmin e kohës.
“Jemi të vetëdijshëm që të gjitha temat e diskutimit janë një dinamikë të jashtëzakonshme, gjë që është një bekimi madh për vende si ynë, sepse mund të bëjmë kapërcime të mëdha falë teknologjisë dhe nga ana tjetër është sinjal i vazhdueshëm alarmi sepse mund të ngelim shumë mbrapa nëse nuk ecim me ritmin e kësaj kohe të re”, tha ai.
Duke folur për zhvillimin e teknologjisë në Shqipëri, Rama tha se sektori sot eksporton 222 milionë euro produkte, rreth tre herë më shumë se disa vite më parë, ndërsa numri i profesionistëve të teknologjisë ka arritur në afro 30 mijë.
Sipas tij, shtatë në dhjetë profesionistë të këtij sektori janë nën moshën 35 vjeç, ndërsa teknologjia ka një peshë prej 2.2% në prodhimin e përgjithshëm kombëtar.
“Disa të dhëna tregojnë se në çfarë dinamike të jashtëzakonshme është sektori i teknologjisë që sot eksporton 222 mln euro produkte, tre herë më shumë se sa pak vite më parë. Sot në këtë sektor janë aktivë thuajse 30 mijë profesionistë të teknologjisë, shifër që ka ndryshuar edhe brenda këtij viti dhe 7 nga 10 protagonistë të këtij sektori janë nën moshën 35 vjeç. Kemi një rritje pagash shumë domethënëse në këtë sektor dhe në prodhimin e përgjithshëm kombëtar, sektori ka një peshë të lexueshme prej 2.2%. duhet të jetë më e lartë, por është një shifër kuptimplotë për potencialin e vet”, theksoi ai.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij Rama ia kushtoi sigurisë kibernetike, duke deklaruar se Shqipëria është ngritur në një nivel të lartë të mbrojtjes kibernetike. Ai iu referua renditjes së National Cyber Security Index 2026, ku, sipas tij, Shqipëria renditet në vendin e parë.
“Ngritja e Shqipërisë në nivelin më të lartë të mbrojtjes kibernetike, gjë e nënvizuar edhe nga National Cyber Security Index 2026, ku Shqipëria rankohet në vendin e parë. Nuk ka asnjë çudi në këtë mes sepse ky është bekimi i teknologjisë, të jep mundësi të bësh kapërcime që përndryshe do ishin jashtëzakonisht më të ngadalta. Na u desh një sulm i egër mbi infrastrukturën tonë digjitale për të marrë masa, për të investuar në mbrojtjen kibernetike dhe për të patur sot një modul shumë të zhvilluar të mbrojtjes kibernetike”, deklaroi kreu i qeverisë.
Sipas Ramës, e-Albania 2.0 do të sjellë standarde të reja shërbimi dhe aksesueshmëri më të lehtë për qytetarët, duke e çuar më tej procesin e digjitalizimit të administratës publike.
Ai u ndal edhe te “Diella”, duke thënë se sistemi tashmë është konsoliduar dhe se qeveria po punon për shtrirjen e teknologjisë së Inteligjencës Artificiale edhe në fusha të tjera të administrimit publik.
“Aktualisht jemi në rritje të vazhdueshëm të aplikimeve në platformën ealbania. Në ndërkohë që jemi duke punuar për të ndërtuar të parin sistem 360 gradë të prokurorimit publik me inteligjencë artificiale dhe për të ridizjanuar ealbanian dhe për të hyrë në gjeneratën e dytë të saj, ealbania 2.0, me standarde të reja shërbimi dhe aksesueshmëri shumë më të lehtë. Të gjitha këto janë pjesë e një procesi që vazhdon. Diella tani është konsoliduar dhe po punojmë për të shtrirë modulin me fëmijët e Diellës edhe në zona të tjerat ë administrimit publik”, bëri me dije Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



