Flash News

Rajoni

Von der Leyen viziton Ballkanin Perëndimor në Tetor, Serbia ende në pikëpyetje

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor gjatë muajit tetor, në kuadër të turit të saj vjetor në rajon

Komisioni Evropian ka konfirmuar vizitën, por ende nuk ka bërë të ditur se cilat vende do të jenë pjesë e agjendës. Sipas zëdhënëses Paola Pinho, programi është ende në përgatitje dhe nuk mund të konfirmohet nëse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfshihen.

Në fokus është veçanërisht Serbia, pasi nuk përjashtohet mundësia që von der Leyen të mos ndalet në Beograd këtë herë. Një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian, në kushte anonimiteti, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se shmangia e Serbisë nga turi është një skenar i mundshëm.

“Shmangia e vizitës në Serbi si pjesë e turit është një mundësi që nuk përjashtohet”, tha zyrtari i lartë i Komisionit Evropian.

Vizita vjetore e von der Leyen zakonisht përfshin të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Serbinë. Megjithatë, situata këtë vit mund të ndikojë në axhendën e saj.

Nëse vizita në Serbi konfirmohet, ajo do të zhvillohej vetëm disa javë pas ceremonisë së varrimit të Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.

Të fundit