Flash News

Ditari i Opozitës

Denoncimi i Ahmetajt për trafik armësh, Bardhi: Prek sigurinë kombëtare, SPAK të hetojë

Në intervistën e tij të pestë me gazetarin Çim Peka, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj solli denoncime të forta mbi qeverinë Rama, e sidomos për audiopërgjimin që flet për një trafik të mundshëm armësh.

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar duke kërkuar një hetim të menjëhershëm nga Prokuroria e Posaçme, duke i cilësuar deklaratat e Ahmetajt, akuza serioze ndaj Ramës.

“Intervista e mbrëmshme e ish-Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe përgjimet e bëra publike ngrenë akuza jashtëzakonisht serioze për mënyrën se si funksionon pushteti i Edi Ramës. Janë pretendime që kërkojnë hetim të menjëhershëm, të plotë dhe të pandikuar nga SPAK.

SPAK duhet t’i administrojë këto materiale pa asnjë vonesë. Sepse ajo që pretendohet është tronditëse: ndarje pasurish publike, favorizim interesash private, presione ndaj bizneseve dhe përdorim i parave të shqiptarëve jashtë rregullave dhe transparencës”, shkruan Bardhi.

Demokrati ngre pikëpyetje edhe për kompaninë shtetërore KAYO dhe rolin e Ron Yeffet, i përmendur në denoncimin e Ahmetajt.

“Por më e rëndë është ajo që tregohet në lidhje me kompaninë shtetërore KAYO dhe mundësinë e trafikimit ndërkombëtar të armëve, me origjinë nga Afrika, për t’u paketuar në Shqipëri dhe më pas për t’u dërguar në zona konflikti.

Kjo nuk është një çështje që mund të mbyllet me një deklaratë politike. Kjo sepse kemi të bëjmë me një çështje që prek sigurinë kombëtare, ligjin shqiptar dhe detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Dje u bë edhe më e qartë se Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, nuk është gjë tjetër veçse një marionetë politike e Ron Yeffet, i vendosur në atë detyrë për t’i shërbyer interesave të pushtetit dhe për të kryer, bashkë me të, punët më të pista të Edi Ramës. Një emër në një post të rëndësishëm, por pa peshën dhe integritetin që kërkon ajo detyrë, një tjetër dëshmi e mënyrës se si Rama e përdor shtetin si instrument të interesave të tij politike”, vijon Bardhi.

 

Të fundit