Flash News

DITARI POLITIK

Nesër nis sesioni i ri parlamentar, në fokus reforma territoriale dhe ajo zgjedhore, paralajmërohet protestë

Pas përfundimit të pushimeve, deputetët rikthehen nesër në Kuvend, ku do të zhvillohet seanca e parë plenare e sesionit të tretë të legjislaturës së 11-të. Seanca është parashikuar të nisë në orën 17:00.

Përpara seancës plenare, në orën 11:00 do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve. Në këtë mbledhje pritet të përcaktohen programi dhe kalendari i punimeve të Kuvendit për periudhën e ardhshme.

Sesioni i ri pritet të shoqërohet me debate të forta politike, me reformën administrative-territoriale dhe atë zgjedhore në qendër të diskutimeve.

Një nga çështjet më të debatueshme pritet të jetë propozimi i Partisë Socialiste për riorganizimin e njësive vendore. Nisma parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke sjellë bashkimin e disa njësive ekzistuese.

Propozimi ka hasur kundërshtime në disa prej bashkive që preken nga riorganizimi, ndërsa debati pritet të vijojë gjatë muajve të ardhshëm në Kuvend.

Përveç axhendës parlamentare, rikthimi i deputetëve pritet të shoqërohet edhe me protestë jashtë ambienteve të Kuvendit. Protestuesit kanë paralajmëruar grumbullim gjatë ditës së nesërme dhe kanë bërë thirrje për protesta ndaj deputetëve, përfshirë hedhjen e vezëve dhe domateve.

Të fundit