Flash News

Ditari i Opozitës

Bardhi: Qeveria nuk zbaton vendimin e Kushtetueses, sistemi gjyqësor po futet në kolaps

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar qeverinë se nuk ka përmbushur detyrimin për të propozuar projektligjin për pagat e magjistratëve, duke e cilësuar situatën si cenim të pavarësisë së sistemit gjyqësor.

“Është fakt tashmë që sistemi i drejtësisë në vend, për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë, është futur në kolaps”, tha Bardhi.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kompetenca për të propozuar pagat i takon Këshillit të Ministrave, ndërsa miratimi i tyre i takon Kuvendit. Por Bardhi theksoi se deri më tani qeveria nuk e ka ushtruar detyrimin për të hartuar dhe propozuar projektligjin për pagat e magjistratëve.

“Dua të informoj se, sot që flasim, Këshilli i Ministrave nuk e ka ushtruar detyrimin për të propozuar projektligj për pagat e magjistratëve”, deklaroi ai.

Bardhi kundërshtoi edhe nismën e dy deputetëve socialistë për pagat e sistemit gjyqësor, duke argumentuar se deputetët nuk kanë kompetencën për të propozuar çështje që prekin drejtpërdrejt buxhetin e shtetit.

“Ligji i propozuar nga dy deputetë socialistë është në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses. Nuk kanë aftësinë për të përllogaritur pagat, as kapacitetin për të interpretuar një vendim të Kushtetueses”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PD-së.

Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm për zbatim dhe se për këtë çështje duhet të bashkëveprojnë Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi.

Të fundit