Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është ndalur në Konferencën e Kryetarëve te debati për pagat e magjistratëve dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Duke iu drejtuar opozitës, Balla theksoi se mazhoranca respekton vendimet e gjykatave dhe se nuk i kundërshton ato përmes protestave.
“Ne kemi respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kemi ushtruar të drejtën tonë kushtetuese për të propozuar ligjin përkatës. Ky krah i Kuvendit nuk ka vënë asnjëherë në diskutim vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo të gjykatave të tjera. Ne nuk protestojmë si ju kundër gjykatave, ne respektojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Balla.
Po ashtu ai theksoi se përcaktimi i pagave është kompetencë e Parlamentit dhe jo e gjykatës.
“Në botën demokratike, përcaktimi i pagave është kompetencë e Parlamentit, jo e gjykatave”, u shpreh Balla.
Sipas Ballës, Kuvendi ka ndjekur procedurat e parashikuara dhe Grupi Parlamentar i PS-së dhe ka depozituar brenda afateve projektligjin që adreson vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me statusin e magjistratëve.
Ai kërkoi që projektligji të shqyrtohet me prioritet në komisionet parlamentare dhe më pas të kalojë për miratim në seancë plenare.
