Mes kaosit ka nisur kjo e martë në Gjykatën e Tiranës, ku administrata dhe sekretarët gjyqësorë në Dhomën Civile kanë bojkotuar shërbimet, në shenjë proteste për moskalimin e pagave të muajit gusht.
Punonjësit kanë kërkaur sqarime lidhur me situatën e krijuar, ndërsa shqetësimi kryesor lidhet me moszbatimin e skemës së re për sistemin e drejtësisë.
“Çfarë do të bëhet me ne”, kjo është pyetja që është ngritur nga punonjësit e administratës dhe sekretarët gjyqësorë të cilët kërkojnë të dhinë se kur edhe si do të reflektohen ndryshimet e e reja në pagat e tyre.
Bojkoti ka sjellë bllokimin e shërbimeve në Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës, duke krijuar vështirësi në funksionimin normal të administratës gjyqësore. Situata pritet të diskutohet edhe në nivel drejtuesish, ndërsa në orën 15:00 është parashikuar mbledhja e të gjithë kryetarëve të gjykatave në Gjykatën e Lartë.
Në fokus të takimit pritet të jetë problematika e pagave dhe mënyra e zbatimit të skemës së re, në një kohë kur pakënaqësia është shtrirë edhe në administratën e gjykatave.
Edhe në sistemin e prokurorisë është zhvilluar një takim për këtë çështje. Kryeprokurori Olsian Çela ka mbledhur që prej orës 10:00 drejtuesit e prokurorive, për të diskutuar problematikën e krijuar rreth pagave dhe pasojat që ajo mund të ketë në funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
Për çështjen e pagave të reja të magjistratëve është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese. Në qëndrimin e saj, Kushtetuesja ka theksuar se arsyetimi i vendimit përbëjnë qëndrimin zyrtar të Gjykatës dhe duhet të zbatohen në tërësinë e tyre.
