75 Mall Live Search
18:43 / E Martë, 08 Shtator 2026 / H F

“Mos prisni që zemra t’ju paralajmërojë me infarkt”: Kardiologia Rexhaj për shenjat e alarmit dhe rreziqet që po prekin edhe të rinjtë

Sëmundjet kardiovaskulare mbeten ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në botë, ndërsa faktorët e rrezikut po shfaqen gjithnjë e më shumë edhe te të rinjtë. Për shenjat paralajmëruese, ndikimin e stresit, hipertensionin dhe mënyrën se si mund të mbrohet zemra, flet për IndeksOnline kardiologia-interniste Zarife Rexhaj.`

“Dhimbja ose shtrëngimi në gjoks, gulçimi, lodhja e pazakontë, palpitacionet, marramendja, humbja e vetëdijes dhe ënjtja e këmbëve janë ndër shenjat që nuk duhet të neglizhohen.Te gratë, të moshuarit dhe personat me diabet, infarkti mund të shfaqet edhe pa dhimbjen tipike, por me dobësi të madhe, gulçim, djersitje të ftohta, nauze ose shqetësim në pjesën e sipërme të barkut.Nëse dhimbja në gjoks zgjat mbi 5–10 minuta, shfaqet në qetësi, përhapet në krah, shpinë, qafë apo nofull dhe shoqërohet me gulçim, djersitje ose të fikët, duhet thirrur menjëherë urgjenca. Në infarkt, çdo minutë e vonesës nënkupton humbje të muskulit të zemrës.”, ka thënë Rexhaj.

Sipas saj, mosha e re nuk përbën mbrojtje absolute, ndërsa faktorët e rrezikut janë gjithnjë e më shqetësues.

“Mosha e re nuk është mbrojtje absolute për sëmundje kardiovaskulare, por tendenca e rritjes së faktorëve të rrezikut te të rinjtë është shqetësuese.Ndër faktorët kryesorë janë ushqimi jo i shëndetshëm, mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik, duhani, hipertensioni, diabeti, kolesteroli i lartë, stresi, mungesa e gjumit, alkooli, substancat narkotike dhe pijet energjike.”, ka theksuar ajo.

Pijet energjike mund ta rrisin tensionin dhe pulsin, të shkaktojnë palpitacione dhe, te personat e predispozuar, edhe aritmi serioze.

“Stresi ndikon drejtpërdrejt në organizëm, duke rritur adrenalinën, kortizolin, rrahjet e zemrës dhe tensionin arterial.Stresi nuk është vetëm përjetim emocional. Gjatë stresit rriten adrenalina dhe kortizoli, zemra rreh më shpejt, ngushtohen enët e gjakut dhe rritet tensioni arterial.Stresi i vazhdueshëm mund të kontribuojë në hipertension, palpitacione dhe çrregullime të ritmit. Ndërkohë, ankthi mund të shkaktojë simptoma që ngjajnë me problemet kardiake.Por gabimi që duhet shmangur është që çdo simptomë t’ia atribuojmë ankthit pa e përjashtuar një problem kardiak. Sidomos kur simptomat shfaqen për herë të parë ose personi ka faktorë rreziku, nevojitet vlerësim mjekësor.”, vlerëson tutje ajo.

Pse hipertensioni quhet “vrasësi i heshtur”?

“Hipertensioni shpesh nuk shkakton simptoma, por mund të dëmtojë gradualisht zemrën, trurin, veshkat, sytë dhe enët e gjakut. Hipertensioni quhet “vrasësi i heshtur” sepse zakonisht nuk shkakton simptoma. Një person mund të ndihet mirë për vite të tëra, ndërsa tensioni i lartë dëmton gradualisht zemrën, trurin, veshkat, sytë dhe enët e gjakut. Diagnoza nuk vendoset nga një matje e vetme. Nevojiten matje të përsëritura, matje në shtëpi ose, kur ka paqartësi, monitorim 24-orësh me Holter të tensionit.”, tha tutje dr. Rexhaj.

Çfarë duhet të ndryshojmë për ta mbrojtur zemrën sipas dr. Zarife Rexhaj.

“Ndër hapat kryesorë janë ndërprerja e duhanit, aktiviteti fizik, ushqyerja e shëndetshme, gjumi i rregullt dhe kontrolli i faktorëve të rrezikut.Ndryshimi më i rëndësishëm është ndërprerja e duhanit. Nuk ekziston nivel i sigurt i pirjes së tij, ndërsa edhe cigaret elektronike mund të ndikojnë në enët e gjakut, pulsin dhe tensionin. Rekomandohen të paktën 150 minuta aktivitet fizik në javë, më pak ushqime të përpunuara, kripë, sheqer dhe yndyra trans, më shumë fruta, perime, bishtajore, peshk dhe drithëra integrale, si dhe 7–9 orë gjumë.” shpjegoi mes tjerash ajo.

Kardiologja dhe internistja thotë se nuk ekziston një suplement ose produkt që “i pastron enët e gjakut”. Mbrojtja e zemrës ndërtohet çdo ditë përmes mënyrës së jetesës dhe kontrollit të faktorëve të rrezikut.

Cilat shenja nuk duhet të presim që të kalojnë vetë?

“Dhimbja e fortë në gjoks, gulçimi i papritur, djersitjet e ftohta, humbja e vetëdijes, rrahjet e çrregullta të shoqëruara me simptoma, shenjat e insultit dhe tensioni shumë i lartë me simptoma kërkojnë reagim të menjëhershëm. Në këto raste duhet thirrur urgjenca dhe pacienti nuk duhet ta drejtojë vetë automjetin. Më mirë një kontroll që rezulton normal sesa një infarkt ose insult i trajtuar me vonesë.”

Cili është gabimi më i shpeshtë i pacientëve?

“Vonesa në kërkimin e ndihmës mjekësore është ndër gabimet kryesore.Gabimi më i shpeshtë është vonesa. Pacientët presin që dhimbja të kalojë, e lidhin me lukthin, muskujt, lodhjen ose ankthin dhe paraqiten vetëm kur gjendja është përkeqësuar.”

Sipas saj, problem mbetet edhe ndërprerja e barnave kur tensioni normalizohet dhe kryerja e kontrolleve vetëm kur shfaqen simptomat.

“Mos prisni që zemra t’ju paralajmërojë me infarkt. Mateni tensionin, kontrolloni sheqerin dhe yndyrat në gjak, mos pini duhan, lëvizni rregullisht dhe mos e ndërprisni terapinë pa u konsultuar me mjekun.”, ka qenë këshilla e saj për fund./IndeksOnline/