Flash News

Kosova

Kosovë/ I vëllai i vuri flakën krevatit, e reja humb jetën në spital

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Poterq të Klinës në Kosovë, ku një e re ka humbur jetën disa ditë pasi u plagos rëndë nga zjarri.

Ngjarja ndodhi më 6 shtator, kur dyshohet se vëllai i saj i vuri flakën krevatit ku ajo ndodhej. Pas incidentit, i dyshuari dyshohet se ka goditur edhe nënën e tij me një mjet të fortë.

Si e reja, ashtu edhe nëna e saj pësuan dëmtime të rënda trupore. Fillimisht ato u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa për shkak të gjendjes së tyre u transferuan më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Policia e Kosovës bëri të ditur se i dyshuari u arrestua në vendin e ngjarjes. Prokurori vendosi ndaj tij masën e ndalimit për 48 orë.

Ndërkohë, për shkak të gjendjes së tij të rënduar psikike dhe dyshimeve për probleme të shëndetit mendor, ai është shtruar në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës. Sipas autoriteteve, i dyshuari po qëndron atje nën kujdesin e mjekëve dhe mbikëqyrjen e policisë.

Të fundit