Ashtu siç e paralajmëroi pak orë para nisjes së seancës së sotme plenare, deputetja Marjana Koçeku ka bërë lëvizjen e radhës ndaj socialistëve, duke mos u ulur krah tyre, si më parë. Sot ajo është parë në rreshtin e të pavarurve, e ulur në një karrige pas deputetëve të PD-së.
Siç mund ta shikoni dhe në foton e siguruar nga newsbomb.al Koçeku shikohet e ulur një rresht përpara deputetit Redi Muçi i partisë “Lëvizja Bashkë” dhe prapa disa demokratëve.
Siç raportuam dhe ditën e sotme, deputetja e larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ndau një video-mesazh për të gjithë ndjekësit dhe qytetarët, duke njoftuar se ajo vetë është zyrtarisht e pavarur.
Pasi paralajmëroi rikthimin në punë me plot dinamika e ngjarje të reja, të ndikuara nga aktualiteti politik, por edhe nga protesta qytetare që vazhdon prej më shumë se 100 ditësh, Koçeku në fjalën e saj theksoi se zëri i qytetarëve të cilët protestojnë njëkohësisht jashtë Kuvendit, duhet të dëgjohet akoma më shumë brenda këtij institucioni.
Në ditët kulminante të protestës qytetare, ajo vendosi të largohej nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, duke pretenduar se mënyra sesi kjo forcë politike me në krye Edi Ramën, po qeverisë Shqipërinë, nuk është ajo që i është premtuar kur vendosi të futej në politikë.




