Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Helmimi masiv i banorëve në Fushë-Arrëz, ISHP e nxjerr shkakun përmes raportit: Erdhi nga uji i pijshëm

Shkruar nga Newsbomb
Helmimi masiv i banorëve në Fushë-Arrëz, ISHP e nxjerr
Fotomontazh: Banoret e helmuar

Një javë pas helmimit të banorëve në Fushë-Arrëz, raporti i Institutit të Shëndetit Publik konfirmon ndotjen e ujit të pijshëm në rrjetin e furnizimit të qytetit.

Sipas raportit të siguruara së fundmi nga Report Tv, nga data 24 gusht deri më 2 shtator, në Qendrën Shëndetësore të Fushë-Arrëzit janë regjistruar 139 raste me probleme gastrointestinale. Pjesa më e madhe e tyre, 128 persona, janë banorë të Fushë-Arrëzit, kryesisht nga Lagjja Demokracia dhe Lagjja Nushaj.

Pacientët kanë shfaqur kryesisht diarre, të vjella dhe temperaturë. Ndërkohë, analizat mikrobiologjike të ujit të kryera nga ISHP më 4 shtator kanë konfirmuar ndotjen e ujit të pijshëm përgjatë sistemit të furnizimit.

Nga ana tjetër, 17 tamponë të marrë nga pacientët kanë rezultuar negativë për bakteret dhe viruset e kërkuara.

Të dhënat e mbledhura nga ISHP tregojnë se përqendrimi i rasteve në një zonë të furnizuar nga i njëjti rrjet ujësjellësi, prekja e grupmoshave të ndryshme dhe ndotja e konstatuar në ujë janë tregues se burimi i përbashkët i helmimit lidhet me sistemin e furnizimit me ujë.

“Në periudhën 24.08.2026–02.09.2026, në Qendrën Shëndetësore Fushë-Arrëz janë regjistruar 139 raste me shenja gastrointestinale. Shumica e rasteve (128; 91.7%) kanë vendbanim në Fushë-Arrëz, me përqendrim të raportuar veçanërisht në Lagjen Demokracia dhe Lagjen Nushaj. Rasti tipik paraqitet me diarre dhe simptoma të sipërme gastrointestinale; 89.9% kanë raportuar të vjella dhe 71.5% temperaturë.

Rezultatet mikrobiologjike të ujit (Laboratori i Mikrobiologjisë së Ujrave, ISHP, 04.09.2026) konfirmojnë ndotjen e ujit të pijshëm përgjatë sistemit të furnizimit. Të gjitha mostrat klinike (17 tamponë rektalë) rezultuan negativë për patogjenët bakterialë dhe viralë të kërkuar. Situata epidemiologjike paraqet një tendencë  në përmirësim, me paraqitjen e 5 rasteve të reja më datë 03.09.2026.

Duke marrë në konsideratë të dhënat mjedisore dhe epidemiologjike, përqendrimi i rasteve në një zonë urbane të furnizuar nga i njëjti sistem ujësjellësi, përfshirja e grupmoshave të ndryshme, dinamika dhe kohëzgjatja e kurbës epidemike, si dhe evidentimi i kontaminimit mikrobiologjik të ujit, përbëjnë një tregues të fortë për një burim të përbashkët ekspozimi të lidhur me sistemin e furnizimit me ujë”, thuhet në raport.

Rasti u bë publik në ditët e para të shtatorit, ku mbi 120 banorë u paraqitën në qendrën shëndetësore brenda pak ditësh me simptoma helmimi. Banorët kishin denoncuar më herët erën e rëndë të ujit të pijshëm, ndërsa më pas autoritetet morën mostra nga rrjeti për analiza.

Prej ditësh, banorët e Fushë-Arrëzit janë detyruar të gjejnë alternativa për furnizimin me ujë, duke përdorur krojet e zonës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese