Këshilli i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka thirrur sot një mbledhje të jashtëzakonshme, ku do të diskutohen dhe vendosen hapat që do të ndërmerren në kundërshtim të rregullores së GJKKO-së. Rregullorja e GJKKO-së përveç kufizimeve ndaj mediave, prek edhe avokatët, të cilët nuk do të lejohen të përdorin telefona gjatë seancave gjyqësore.
Kundërshtimin më të fortë ndaj kësaj rregulloreje e ka shprehur kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia. Që prej 1 shtatorit, kur rregullorja hyri në fuqi, Haxhia i ka dorëzuar një kërkesë Gjykatës së Posaçme, duke kërkuar rishikimin e dispozitave që prekin drejtpërdrejt komunitetin e avokatëve.
Sipas avokatëve, ndalimi i përdorimit të telefonave gjatë seancave gjyqësore prek drejtpërdrejt ushtrimin e profesionit të tyre. Në kushtet e mungesës së një përgjigjeje nga GJKKO, do të jetë mbledhja Këshilli Drejtues ai që do të përcaktojë hapat e mëtejshëm për kundërshtimin e rregullores.
Një nga masat e paralajmëruara nga avokatët, nëse GJKKO nuk tërhiqet nga këto dispozita është edhe bojkoti i seancave gjyqësore.
Edhe mediat, së bashku me organizatat ndërkombëtare të medias kanë kundërshtuar rregulloren, duke e konsideruar atë një masë që cenon të drejtën e informimit.
