Pasditen e kësaj të marte pritet të rinisin punimet në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa përkrah nisjes së sesionit të ri parlamentar është paralajmëruar edhe një protestë përpara godinës së Parlamentit.
Seanca e parë plenare e kësaj legjislature është njoftuar të nisë në orën 17:00. Në të njëjtën kohë, protestuesit pritet të mblidhen jashtë ambienteve të Kuvendit, ku kërkesa kryesore e tyre është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama si dhe largimi i klasës politike.
Në kuadër të protestës së paralajmëruar, Policia e Shtetit ka nisur marrjen e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë në zonën përreth Parlamentit. Masat vijnë edhe në një kohë kur protestat e mëparshme para Kuvendit janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Siç shihet dhe në video, rreth dy orë para nisjes së punimeve të Kuvendit efektivët e policisë kanë nisur të bllokojnë me barriera metalike aksin e Rrugës së Elbasanit, në drejtim të Parlamentit.
